Kur emri nuk mjaftonte: Si i dallonte Korça njerëzit përmes llagapeve me ngjyrë humori e dashurie
- Korca Boom
- Oct 17
- 2 min read
Korça, qytet i njohur për kulturën, traditat dhe humorin e hollë, ka ruajtur ndër vite një zakon të veçantë: vendosjen e nofkave, ose siç njihen ndryshe në qytet, llagapeve. Këto emërtime, të cilat shpesh i ngjiten dikujt që në fëmijëri dhe e ndjekin gjithë jetën, nuk janë thjesht mënyrë për të dalluar njerëzit me emra të njëjtë, por bëhen pjesë e identitetit të tyre në sytë e komunitetit.
Në Korçë, të thuash një emër pa llagapin përkrah, shpesh nuk mjafton. Njerëzit njiheshin dhe njihen akoma jo vetëm si "Vani", "Tani", apo "Lili", por si "Vani Pula", "Tani Xhuxhi", "Lili i Pazarit". Shumë prej këtyre llagapeve lidhen me zanatin, vendbanimin, një tipar fizik, apo edhe një moment komik që ka lënë mbresa.
Ishte normale të dëgjoje për "Sulo Kashta", që kishte flokë shumë të holla, "Leko Këmisha", që kishte pasur dikur një dyqan tekstilesh, apo "Genci Bakllavaja", që punonte në një pastiçeri të njohur. Kishte dhe llagape më thumbuese si "Niki Qorrri", "Tani Guzhina", apo "Pandi Pupthi", por që rrallëkush i merrte për ofendim. Përkundrazi, shpesh ishin vetë ata që i mbanin me sportivitet dhe i përmendnin me krenari.
Llagapet nuk vendoseshin kot.Ato ishin produkt i vëzhgimit të mprehtë dhe shpesh i një humori të hollë, që e bënte qytetin të dukej si një familje e madhe ku të gjithë njihnin të gjithë. Ndërsa ndonjë tjetër mund të ngatërrohej në emra e mbiemra, një korçar e gjente menjëherë njeriun që kërkonte, po të përmendje llagapin e duhur.
Kjo traditë, përtej humorit, ka qenë edhe një formë kujtese sociale. Brezat e vjetër rrëfejnë histori të tëra përmes llagapeve. Është mënyra sesi përshkruajnë një figurë të dikurshme, një mik të largët, një komshi të paharruar. Për shumë prej tyre, llagapi është më i fortë se mbiemri.
Sot, ndonëse koha ka ndryshuar dhe brezat e rinj janë më të lidhur me emrat zyrtarë apo rrjetet sociale, tradita e llagapeve nuk është shuar krejt. Ajo jeton në lagje, në biseda të përditshme, në tavolina me miq të vjetër dhe në rrëfime që nuk harrohen.
Sepse Korça ka ditur gjithmonë t’i japë emrit një ngjyrim të vetin. Dhe llagapi, për një korçar, nuk është thjesht nofkë, është pjesë e shpirtit të qytetit.
“KORÇA BOOM”


















