top of page

Kush duhet të plotësojë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave për 2025

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 1 hour ago
  • 2 min read

Afati për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për periudhën janar–dhjetor 2025 është data 31 mars 2026. Këtë e bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili sqaroi kategoritë e individëve që kanë detyrim ligjor për deklarim.


Sipas tij, detyrimi për të deklaruar të ardhurat personale vjetore për vitin 2025 u takon individëve që kanë realizuar të ardhura mbi 1.2 milionë lekë nga të gjitha burimet. Po ashtu, DIVA duhet të dorëzohet edhe nga ata persona që gjatë vitit 2025, për të paktën një muaj, kanë qenë të punësuar pranë më shumë se një punëdhënësi.


Detyrim për deklarim kanë gjithashtu individët që kanë përfituar të ardhura mbi 50 mijë lekë, për të cilat nuk është paguar tatimi në burim. Në këtë kategori përfshihen të ardhurat nga qiradhënia, platformat online si Booking, Airbnb, YouTube, si dhe burime të tjera të ngjashme.


Ministri theksoi se ligji parashikon edhe mundësinë e korrigjimit të deklaratës në rast se individi konstaton pasaktësi në të dhënat e deklaruara. Deklarata korrigjuese mund të paraqitet brenda afateve ligjore të përcaktuara.


Një risi e rëndësishme për këtë vit lidhet me përfitimet për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Për herë të parë, përmes ndryshimeve në ligjin “Për procedurat tatimore”, prindërit dhe kujdestarët ligjorë do të mund të përfitojnë kompensim ushqimor dhe arsimor për fëmijët në ngarkim përmes DIVA 2025.


Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve, duke ofruar zbritje nga baza tatimore në varësi të numrit të fëmijëve dhe shpenzimeve të kryera për arsimimin e tyre. Kushti kryesor për përfitim është që të ardhurat e tatueshme vjetore të mos tejkalojnë 1.2 milionë lekë.


Për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç parashikohet një zbritje tatimore që korrespondon me shumën prej 48 mijë lekësh, ndërsa për shpenzimet arsimore të fëmijëve në ngarkim aplikohet një zbritje totale deri në 100 mijë lekë.


Kërkesa për përfitimin e këtij kompensimi paraqitet vetëm një herë dhe duhet të bëhet nga anëtari i familjes që ka të ardhurat më të larta vjetore. Autoritetet sqarojnë se e drejta për përfitim mbetet edhe në rastet kur individi nuk ka detyrim ligjor për të dorëzuar deklaratën DIVA 2025.

"KORCA BOOM"


bottom of page