top of page

Lajm për të moshuarit, qeveria drejt heqjes së kufirit të moshës për check-up

  • Jun 6
  • 1 min read

Kontrolli mjekësor bazë, i njohur ndryshe si check-up, ende nuk po ofrohet për personat mbi 70 vjeç, pavarësisht se në programin qeveritar është parashikuar heqja e kufizimit të moshës për këtë kategori qytetarësh.


Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se aktualisht shërbimi vijon të ofrohet për grupmoshën 35 deri në 70 vjeç, ndërsa po punohet për zgjerimin e tij për të gjithë personat mbi 35 vjeç, pa kufi maksimal moshe.


Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 kontrollin mjekësor bazë e kanë kryer 455.849 qytetarë të grupmoshës 35-70 vjeç.


“Politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në drejtim të programeve të parandalimit të sëmundjeve jo të transmetueshme, janë në proces të heqjes së kufirit maksimal të moshës për programin e Check-Up-it. Në këtë kuadër, programi pritet të funksionojë për të gjithë personat mbi moshën 35 vjeç”, theksohet nga ministria.


Mbulimi Universal Shëndetësor mbetet një nga objektivat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, me synimin për të garantuar shërbime shëndetësore cilësore dhe të barabarta për të gjithë qytetarët.


Ekspertët e shëndetësisë e konsiderojnë check-up-in një program të rëndësishëm depistimi, i cili ndihmon në identifikimin e hershëm të sëmundjeve jo të transmetueshme tek persona që nuk paraqesin ende simptoma.


Në Shqipëri numërohen rreth 252 mijë qytetarë mbi moshën 70 vjeç, ndërsa specialistët kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e kufizimit të moshës. Sipas tyre, kjo kategori përballet me probleme të shumta shëndetësore, përfshirë edhe demencën, e cila prek një në tetë persona mbi 70 vjeç. Ekspertët vlerësojnë se rreth gjysma e rasteve nuk diagnostikohen në kohë, duke e bërë edhe më të rëndësishëm kontrollin periodik shëndetësor.

“KORÇA BOOM”


bottom of page