LAJMI FUNDIT/ 2 arrestime në Korçë. Vjedhje dhe arrestim në Maliq. Lojëra fati të paligjshme në lagjen 14 në Korçë
- 3 days ago
- 2 min read
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 48 vjec, banues në Korçë, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur 4 automjete të parkuara në rrugë, në lagjet nr. 3 dhe 7, Korçë. Pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore, 48-vjeçarit iu bë testi i alkoolit dhe rezultoi se e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur;
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 31 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. Sh., 25 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq, pasi në fshatin Vloçisht, dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e një 36-vjeçari, disa produkte ushqimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. Sh. është autori i vjedhjes së ndodhur më datë 14.03.2026, në fshatin Vashtëmi, në banesën e një 45-vjeçareje, (rezidente në Greqi), ku janë marrë disa pajisje elektroshtëpiake;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin F. A., 33 vjeç, banues në fshatin Maliq, pasi dyshohet se ka goditur me grushte një 42-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit R. B., 61 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Vjedhja e energjisë elektrike", dhe Xh. L., 61 vjeç, banues në fshatin Vërdovë Pogradec, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës". Gjatë kontrollit në subjektin me administrator shtetasin R. B., punonjësit e OSHEE-së kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Shtetasi Xh. L., me detyrë faturist i OSHEE Pogradec, dyshohet se nuk ka kryer kontrollin e matësit të energjisë elektrike në këtë subjekt.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E. F., 34 vjeç dhe R. F., 33 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.14, Korçë, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit R. F., u gjetën një valixhe me çipsa që dyshohet se përdoren për lojëra fati, një grirëse për lëndë narkotike dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit të celularit të shtetasit E. F., u gjetën faqe aktive për baste sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë, sasia e lëndës narkotike, grirësja e lëndës narkotike dhe çipsat.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
“KORÇA BOOM”
















