top of page

Mijëra makina të vjetra dalin nga qarkullimi, rritet ndjeshëm çregjistrimi në 2026

  • 4 days ago
  • 1 min read

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë të ditur se gjatë muajve janar dhe shkurt të vitit 2026 është rritur ndjeshëm numri i automjeteve të vjetra që janë çregjistruar nga qarkullimi.


Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë kësaj periudhe janë çregjistruar gjithsej 1.761 mjete me moshë mesatare rreth 22 vjet. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kjo shifër shënon një rritje prej 32.5%.


Çregjistrimi i mjeteve të amortizuara konsiderohet një hap i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e mjedisit, por edhe për rritjen e sigurisë në rrugë. Automjetet e vjetra shpesh kanë standarde më të ulëta sigurie dhe ndikojnë më shumë në ndotjen e ajrit, ndaj largimi i tyre nga qarkullimi ndihmon në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe në uljen e rrezikut të aksidenteve.


Ndërkohë, kontrolli teknik i automjeteve mbetet një nga elementët kryesorë për sigurinë rrugore. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 plot 16.301 automjete nuk kanë arritur të kalojnë kontrollin teknik për shkak të problemeve të ndryshme.

Defektet më të shpeshta lidhen me sistemin e shkarkimit të gazrave, mangësi vizuale dhe funksionale, probleme në sistemin e drejtimit dhe amortizimit, si edhe në sistemin e frenimit.


Nga ana tjetër, qytetarët kanë mundësi të kryejnë shumë procedura përmes platformës online e-Albania, ku mund të rezervojnë takimin për shërbimin e nevojshëm.


Institucioni u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të kontrollojnë rregullisht dokumentacionin dhe gjendjen teknike të mjetit, në mënyrë që automjeti të jetë gjithmonë i sigurt dhe i gatshëm për qarkullim në rrugë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page