Ndryshojnë rregullat për zjarrfikësit, rishikohet edhe kufiri i moshës për pranimin në shërbim
Shqipëria pritet të rishikojë kriteret për pranimin në shërbimin zjarrfikës, përfshirë edhe kufirin e moshës për kandidatët që dëshirojnë t’i bashkohen këtij profesioni.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, bëri të ditur se ka nisur puna për përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon organizimin dhe funksionimin e shërbimit zjarrfikës në vend.
Deklarata u bë gjatë një takimi me profesionistë shqiptarë që prej vitesh ushtrojnë profesionin e zjarrfikësit në Finlandë dhe Gjermani, si dhe me të rinj të interesuar për t’iu bashkuar këtij shërbimi.
“Kemi nisur punën për përmirësimin e bazës ligjore për një sistem sa më efektiv, parandalues dhe mbrojtës kundër zjarrit në vend, përfshi dhe rishikimin e kriterit moshor për pranimin në shërbim”, u shpreh Lamallari.
Gjatë takimit është diskutuar për nevojën e një rishikimi tërësor të legjislacionit, si dhe për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të shërbimit zjarrfikës.
Në procesin e reformimit pritet të merret në konsideratë edhe përvoja e profesionistëve shqiptarë që punojnë në vendet e Bashkimit Europian, me synim përshtatjen e praktikave më të mira dhe rritjen e efektivitetit të shërbimit në Shqipëri.
Ministri vlerësoi kontributin e Albanit, Bojkenit dhe Angjeles, të cilët shërbejnë si zjarrfikës në Finlandë, si dhe të Greinit dhe Luçianos në Gjermani.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bashkëpunimi me profesionistët shqiptarë jashtë vendit pritet të vijojë përmes trajnimeve, shkëmbimit të eksperiencave dhe forcimit të kontakteve me shërbimet homologe europiane.
Rishikimi i kritereve të pranimit, përfshirë kriterin e moshës, synon të krijojë mundësi për përfshirjen e më shumë kandidatëve dhe njëkohësisht të forcojë kapacitetet e shërbimit zjarrfikës në përballimin e emergjencave.
“KORÇA BOOM”
















