top of page

Kush punon në banka, universitete e jashtë vendit? Të ardhurat e familjarëve të deputetëve të PD

1 hour ago
3 min read

Pas publikimit të të dhënave mbi punësimet dhe të ardhurat e familjarëve të ministrave të mazhorancës, një tjetër vëzhgim mbi deklaratat e pasurisë për vitin 2025 nxjerr në pah angazhimet profesionale dhe të ardhurat e familjarëve të deputetëve të Partisë Demokratike.


Të dhënat tregojnë se familjarët e deputetëve janë të angazhuar në institucione publike, banka, universitete, kompani private dhe aktivitete të pavarura profesionale. Në disa raste, të ardhurat vjetore arrijnë në dhjetëra mijëra euro.


Gazment Bardhi, Albana Vokshi, Gent Strazimiri dhe disa deputetë të tjerë nuk kanë deklaruar familjarë apo persona të lidhur me të ardhura në deklaratat e tyre për vitin 2025.


Ndërkohë, bashkëshortja e Agron Gjekmarkajt, Elda Mataj, e punësuar në Bankën e Shqipërisë, ka deklaruar 20,438 euro të ardhura gjatë vitit, përfshirë pagën dhe shpërblimet.


Të ardhura të konsiderueshme rezultojnë edhe për familjarët e Bujar Leskajt. Bashkëshortja e tij, Silvana Leskaj, ka përfituar 17,666 euro nga paga në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe 42,321 euro nga qiratë. Djali Klaus Leskaj ka deklaruar 43,758 euro pagë nga një bankë në Austri, përveç mbështetjes financiare nga prindërit.


Një tjetër rast është ai i Jorida Tabakut. Bashkëshorti i saj, Saimir Sallaku, ka disa burime të ardhurash, përfshirë pagën si pedagog në Universitetin e Tiranës, të ardhurat si anëtar i Këshillit Drejtues në Bankën Credins, aktivitetin e pavarur profesional dhe qiratë. Në total, të ardhurat e deklaruara nga këto burime arrijnë në dhjetëra mijëra euro.


Edhe familjarët e Luan Baçit kanë deklaruar të ardhura të konsiderueshme. Bashkëshortja Elsa Baçi ka deklaruar 15,970 euro pagë, 24,309 euro fitim nga aktiviteti privat dhe 87,534 euro nga tërheqja e dividentit. Dy djemtë e tij kanë deklaruar gjithashtu të ardhura nga paga dhe aktiviteti privat.


Në deklarimet e tjera spikasin edhe të ardhurat e bashkëshortes së Arian Ndojës, Elderina Ndoja, me 50,622 euro nga aktiviteti si person fizik. Ndërsa bashkëshortja e Belind Këlliçit, Anna Shkreli, ka deklaruar 24,468 euro nga aktiviteti privat, si dhe një detyrim prej 38,640 eurosh.


Bashkëshortja e Flamur Hoxhës ka deklaruar 27,049 euro paga nga tre kompani private, ndërsa vajza e tij, Erta Hoxha, ka përfituar 5,700 euro nga mësimdhënia në një universitet në Shtetet e Bashkuara.


Në listë përfshihen edhe familjarë të deputetëve të punësuar në institucione publike. Bashkëshortja e Bardh Spahisë punon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, ndërsa bashkëshortja e Bledjon Nallbatit është e punësuar pranë institucionit të Avokatit të Popullit.

Familjarë të deputetëve janë të angazhuar edhe në sistemin shëndetësor dhe akademik. Bashkëshortja e Kliti Hotit, e cila punon si mjeke dhe pedagoge, ka deklaruar të ardhura nga QSUT, Fakulteti i Mjekësisë dhe institucione të tjera.


Në sektorin bankar rezultojnë të punësuar edhe familjarë të Jozefina Topallit. Vajza e saj, Margerita Topalli, ka deklaruar 10,248 euro pagë nga Banka e Shqipërisë, ndërsa djali Genar Topalli ka deklaruar 16,050 euro pagë nga një kompani në Shtetet e Bashkuara.


Një tjetër rast është ai i Oerd Bylykbashit, vajza e të cilit, Greis Bylykbashi, është e punësuar pranë Parlamentit Europian. Për periudhën shtator–dhjetor ajo ka deklaruar 6,800 euro pagë, si dhe të ardhura të tjera nga punësimi dhe burime të tjera.


Në deklarata shfaqen gjithashtu të ardhura nga profesione të ndryshme, biznese private, qira, pensione dhe dividentë. Bashkëshortja e Tritan Shehut ka deklaruar 60 mijë euro nga qiraja, ndërsa djali i tij, Loran Shehu, ka të ardhura nga aktiviteti privat. Djali tjetër, Alk Shehu, punon si mjek në Gjermani, ku ka deklaruar 50,400 euro, si dhe të ardhura nga mësimdhënia dhe aktiviteti privat.


Në tërësi, deklaratat e pasurisë për vitin 2025 tregojnë një panoramë të gjerë të angazhimeve profesionale të familjarëve të deputetëve të opozitës, nga institucionet shtetërore dhe bankat, te universitetet, kompanitë private, aktivitetet profesionale dhe punësimet jashtë vendit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page