top of page

"Audio-përgjimet e Ahmetajt tronditën politikën", Klodiana Lala: SPAK të hetojë akuzat për trafik armësh

  • 1 hour ago
  • 2 min read

Gazetarja Klodiana Lala ka kërkuar që SPAK të nisë hetimet mbi akuzat e ngritura nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili publikoi një audio-përgjim ku përmendet shtetasi amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe flitet për një skemë të dyshuar të trafikimit të armëve.


Sipas Lalës, akuzat e Ahmetajt dhe materialet audio të publikuara ngrenë pikëpyetje serioze, të cilat duhet të verifikohen nga Prokuroria e Posaçme. Ajo kërkoi që hetimi të përfshijë kompaninë Kayo, personat e përmendur në përgjime dhe çdo zyrtar shqiptar që mund të rezultojë i lidhur me çështjen.


“Po ka dyshime të forta që po bëhet trafik i armëve. Çfarë thotë zoti Ahmetaj, ku tregon audio-përgjimin e Yeffet dhe shtetasve ukrainas, ku flitet se do të merreshin armë në Afrikë, në Sudan, do të silleshin në Shqipëri, do të montoheshin dhe paketoheshin këtu dhe do të shkonin drejt një vendi të BE-së apo Ukrainës”, deklaroi Lala për "News 24".


Gazetarja kërkoi që SPAK të nisë një hetim kryesisht për akuzat për trafik armësh dhe të verifikojë nëse në këtë çështje mund të jenë përfshirë zyrtarë të lartë shqiptarë.


“Zoti Braho duhet të nisë hetimin kryesisht për këtë akuzë, për trafik armësh. Të hetohet implikimi i zyrtarëve të lartë shqiptarë. Te denoncimi i Ahmetajt përmendet një shtetas ‘Ermal Raketa’, ku në përgjimin e radhës Ron Yeffet e përmend Ermal Nufi”, tha Lala.


Sipas saj, materialet e publikuara deri tani janë vetëm një pjesë e audio-përgjimeve. Lala tha se bëhet fjalë për orë të tëra materiale, ndaj SPAK duhet t’i sigurojë ato të plota dhe të verifikojë përmbajtjen e tyre.


“T’i drejtohet BE-së me letërporosi që të marrë këto përgjime. Nuk bëhet fjalë për 3 episode, por për orë të tëra përgjimi, ku mund të ketë të tjerë zyrtarë të përfshirë dhe të tjera afera korrupsioni. Denoncimi i Ahmetajt do të marrë vlerë për trafikun e armëve dhe implikimin e zyrtarëve të lartë”, u shpreh ajo.


Lala kërkoi gjithashtu verifikimin e identitetit dhe lëvizjeve të personave të përmendur në materialet audio, përfshirë hyrjet e tyre në territorin shqiptar.


“Të plota këto audio-përgjime. Duhet të nisë një hetim mbi të dhënat publike. Do të duhet të shkojë te TV Syri, të marrë audio-përgjimet dhe më pas të nisë marrja në pyetje e të gjithë personave. A kanë hyrë ata në territorin shqiptar, kur daton hyrja e shtetasit Yeffet në vendin tonë”, tha Lala.


Gazetarja u ndal edhe te kompania Kayo, duke kërkuar që SPAK të verifikojë aktivitetin e saj dhe akuzat e ngritura nga Ahmetaj.


“Kur sheh akuzat e Ahmetajt, sheh se qëllimi i Kayos s’ka qenë që të prodhojë armë, por po të shihni me kujdes ato të dhëna që nxori Ahmetaj, që do të doja t’i kishte nxjerrë më herët, por asnjëherë nuk është vonë. Ahmetaj ka folur dhe më herët, por është hera e parë që në një TV jep prova dhe fakte ku shfaqet Ron Yeffet”, deklaroi Lala./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page