Nga denoncimi në ekran te prangat brenda pak minutash, si u zbulua dhe u ndëshkua skandali i ryshfetit që tronditi Drejtorinë e Burgjeve
- Korca Boom
- Sep 17, 2025
- 1 min read
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka arrestuar një punonjës të burgut të Lushnjës, pas publikimit nga emisioni “Stop” të pamjeve ku ai shihej duke marrë para në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar. Punonjësi i identifikuar si Irekli Leka, shef i Regjimit të Brendshëm në IEVP Lushnjë, u përjashtua menjëherë nga Policia e Burgjeve.
Pas denoncimit publik, brenda vetëm 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e SPAK, u krye arrestimi i tij.
Përveç arrestimit të Lekës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve urdhëroi pezullimin nga detyra të drejtorit dhe nëndrejtorit të institucionit, si pjesë e masave disiplinore dhe administrative.
Në njoftimin zyrtar, Drejtoria falënderoi median për kontributin në zbulimin e abuzimit dhe theksoi angazhimin e saj për të garantuar integritetin dhe transparencën në çdo hallkë të sistemit penitenciar.
“KORÇA BOOM”



















