Nga karburanti te ushqimet, ja pse korçarët po dynden drejt Greqisë
- 1 hour ago
- 1 min read
Radhë të gjata janë krijuar këtë fundjavë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë po përballen me pritje që zgjasin mbi një orë.
Fluksi i lartë i lëvizjeve lidhet me fundjavën, por edhe me numrin e madh të banorëve të Korçës dhe zonave të juglindjes që zgjedhin të kalojnë kufirin për të kryer blerje, kryesisht produkte ushqimore dhe artikuj të konsumit të përditshëm.
Një nga arsyet kryesore është çmimi më i ulët i karburantit në Greqi, ndërsa diferencat në çmimet e produkteve ushqimore dhe mallrave të tjera po bëjnë që gjithnjë e më shumë qytetarë të zgjedhin blerjet përtej kufirit.
Banorët e zonave pranë kufirit shprehen se furnizimet në Greqi janë kthyer në një alternativë për të reduktuar shpenzimet familjare, veçanërisht në një periudhë kur kostoja e jetesës vijon të jetë e lartë.
Për të përballuar fluksin e shtuar, Policia Kufitare në Kapshticë rrit gjatë fundjavave numrin e sporteleve në hyrje dhe dalje, ndërsa përdoren edhe procedura të përshpejtuara për përpunimin e udhëtarëve.
Sipas burimeve nga pika kufitare, gjatë fundjavave përmes Kapshticës kalojnë në dalje nga Shqipëria më shumë se 10 mijë shtetas. Fluksi i lartë sjell pritje të gjata, veçanërisht gjatë orareve të pikut.
“KORÇA BOOM”
















