Nga mjekët te ushtarakët: Rama zbulon planin për rritjen e pagave në gjithë vendin
- Apr 8
- 2 min read
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një inspektim në Spitalin e ri Rajonal të Lezhës, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ku u njoh nga afër me kushtet dhe standardet e reja të ofruara për pacientët dhe stafin mjekësor.
Gjatë vizitës, ministrja Sala bëri me dije se punimet për rikonstruksionin e spitalit kanë përfunduar që në vitin 2025, duke theksuar se tashmë institucioni ofron infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama u ndal edhe te situata ekonomike në vend, duke theksuar se përmirësimi i saj ka krijuar mundësi konkrete për rritje të ndjeshme të pagave në disa sektorë kyç, si arsimi, policia dhe ushtria. Ai paralajmëroi se kjo politikë do të shtrihet gradualisht edhe në fusha të tjera, përfshirë shëndetësinë, duke dhënë një sinjal pozitiv për rreth 22 mijë mjekë, infermierë dhe punonjës të sistemit shëndetësor.
“Rritja e pagave është domethënëse për shkak se rritja e ekonomisë ka qenë domethënëse dhe na është dhënë mundësia që t’i rrisim. Më parë kjo mundësi nuk ka ekzistuar. Tani që ekonomia po na jep më shumë hapësirë, kemi ndërmarrë hapa konkretë për mësuesit, punonjësit e policisë dhe ushtarakët. Kjo politikë do të shtrihet në të gjitha fushat”, u shpreh Rama.
Ai vlerësoi gjithashtu transformimin e Spitalit Rajonal të Lezhës, duke theksuar se nuk ka konstatuar ankesa lidhur me shërbimin, ndërsa veçoi si një zhvillim shumë të rëndësishëm decentralizimin e shërbimit onkologjik.
Sipas tij, krijimi i bërthamave të shërbimit dhe ofrimi i kimioterapisë më pranë qytetarëve do të lehtësojë ndjeshëm barrën për pacientët, duke shmangur udhëtimet e gjata dhe pritjet e zgjatura.
“Është diçka fantastike sepse do ta afrojë shërbimin me njerëzit dhe do të lehtësojë një pjesë të problemeve që lidhen me distancën dhe kohën e pritjes”, theksoi kryeministri.
Vizita në Spitalin e ri Rajonal të Lezhës vjen në kuadër të investimeve të vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë, me synimin për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe kushtet për stafin mjekësor në të gjithë vendin.
“KORÇA BOOM”
















