Nga një kallëzim te SPAK, ! Historia që po trazon politikën
Një histori që ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si janë siguruar votat gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 ka çuar deputeten Sara Mila përpara drejtësisë. Ajo është marrë e pandehur nga SPAK, nën dyshimet për korrupsion në zgjedhje dhe shitblerje votash.
Sipas informacioneve të publikuara nga Vox News, hetimi ka një pikënisje sa të pazakontë, aq edhe ironike. Gjithçka dyshohet se ka nisur nga një kallëzim i bërë nga persona që mbështesnin Sara Milan gjatë fushatës zgjedhore. Por ajo që synohej të ishte një denoncim ndaj një nëpunësi, përfundoi duke hapur një tjetër pistë hetimi, e cila tashmë ka përfshirë edhe vetë deputeten.
Në qendër të hetimeve është njësia administrative Gjocaj, në Bashkinë e Peqinit, ku dyshohet se janë përdorur forma presioni për të siguruar vota në favor të saj.
Sipas të dhënave të publikuara, në këtë proces dyshohet se ka pasur një rol edhe Bilal Hasa, në atë kohë drejtor i Burgut të Rrogozhinës, biznesmen dhe me origjinë nga fshati Kurtaj i kësaj njësie administrative.
Një nga pistat që po hetohet lidhet me listat e ndihmës ekonomike. Dyshohet se ndaj një nëpunësi që kishte në dorë aplikimet është ushtruar presion për të shtuar emra fiktivë në listat e familjeve përfituese, me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale.
Por nëpunësi ka refuzuar të kryejë një veprim të tillë. Pas këtij refuzimi, sipas publikimit, Bilal Hasa dyshohet se ka përdorur një punonjës të bizneseve të tij për të bërë kallëzim ndaj nëpunësit për shpërdorim detyre.
Pikërisht ky kallëzim, që fillimisht mund të jetë menduar si një mënyrë për të vënë në vështirësi nëpunësin, dyshohet se është kthyer në një autogol, duke çuar hetuesit drejt një tabloje më të gjerë të ngjarjeve.
Çështja tashmë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përdorur administrata dhe skemat e ndihmës sociale gjatë fushatës zgjedhore, si dhe mbi mekanizmat e mundshëm të presionit ndaj punonjësve që nuk pranonin të përfshiheshin në veprime të paligjshme.
Hetimet e SPAK do të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete të personave të përfshirë. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, personat nën hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë.
“KORÇA BOOM”















