top of page

Nga Treska në Harvard dhe Departamentin e Shtetit: Rasti Stephen Peters

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 2 min read

Artikulli që po sjellim më poshtë është botuar në revistën “State” në muajin mars të vitit 1990 dhe i bën homazh ndarjes nga jeta të shqiptaro-amerikanit me origjinë nga Korça, Stephen Peters. Revista “State”, organ zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit, i ka dedikuar këtë shkrim figurës dhe kontributit të tij, duke ndalur vëmendjen te lidhjet e hershme me Shqipërinë. Për lexuesin tonë, artikulli vjen i përkthyer dhe i shoqëruar me shpjegimet përkatëse.


Stephen Peters, 83 vjeç, një punonjës i Shërbimit të Jashtëm, në pension, u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, në Spitalin e Aleksandrisë, Virxhinia, më 17 janar.

Z. Peters e filloi karrierën e tij në Departamentin e Shtetit si analist kërkimor në vit 1945. Pasi punoi si specialist i punëve të jashtme dhe specialist i inteligjencës kërkimore, ai iu bashkua Shërbimit të Jashtëm në vitin 1957, duke u bërë shqiptaro-amerikani i parë që arrinte deri në këtë nivel.


Z. Peters u caktua me shërbim pranë trupit diplomatik amerikan në Trieste dhe Romë, deri në momentin që do të dilte në pension në vitin 1966. Për shërbimet e kryera, u dekorua me "Superior Honor Award" nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Pas largimit nga Departamenti, Z. Peters punoi si kërkues shkencor pranë "American University" dhe si mësues në shkollat publike të Virxhinias. Ka qënë bashkëautor në disa libra, si: "Anatomia e marrjes së pushtetit nga komunistët" (The Anatomy of Communist Takeovers), "Manual për territorin e Bashkimit Sovjetik" (Area Handbook for the Soviet Union) dhe "Manual për territorin e Shqipërisë" (Area Handbook for Albania).


Z. Peters lindi në Treskë, Shqipëri, më 15 mars 1906. Ai erdhi në këtë vend (SHBA) në vitin 1920 dhe u diplomua me titullin "Bachelor" në vitin 1934 dhe "Master" në vitin 1936 nga Universiteti i Harvardit. Ai dha mësim në fushën e edukimit në Shqipëri gjatë viteve 1936-39, dhe më pas u kthye në Shtetet e Bashkuara për të punuar pranë Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS) gjatë Luftës së Dytë Botërore. Detyrat e tij për këtë agjenci, e cila ishte pararendëse e CIA-s, e çuan atë në Jugosllavinë dhe Shqipërinë e pushtuar nga gjermanët.


Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri 1936-39, shërbeu si mësues pranë Shkollës Normale të Elbasanit. Ka qënë aktiv me artikujt e tij në shtypin shqiptar të kohës. Sot, emri i tij, gjendet në Memorialin kushtuar ushtarakëve shqiptaro-amerikanëve që kanë kontribuar në Shqipëri gjatë Luftës së dytë botërore. Shkruante rregullisht artikuj në gazetën "Bota", organ shtypi i shqiptarëve të Bostonit, si dhe në shtypin amerikan.

"KORCA BOOM"


bottom of page