Ngjarje e rëndë, makina e gazetarit përfshihet nga f*akët në
- 1 hour ago
- 2 min read
Një incident i rëndë është regjistruar në orët e para të së dielës në Bulqizë, ku një gazetar dhe botues lokal ka denoncuar djegien e qëllimshme të automjetit të tij.
Bëhet fjalë për gazetarin Sami Curri, i cili ka bërë të ditur se makina e tij është përfshirë nga flakët rreth orës 02:58 të datës 26 prill, ndërsa ishte e parkuar pranë banesës. Sipas policisë së Dibër, automjeti tip “Ford Fiesta” dyshohet të jetë djegur qëllimisht.
Autoritetet bëjnë me dije se një grup hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin ligjor të rastit.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit, pasi paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme,” thuhet në njoftimin e policisë.
Vetë gazetari Curri është shprehur se është njoftuar nga fqinjët për zjarrin dhe se automjeti ndodhej rreth 30 metra larg pallatit ku ai banon. Ai theksoi se flakët nuk kanë shkaktuar dëme në automjetet e tjera pranë.
Curri e lidh këtë ngjarje me aktivitetin e tij profesional, duke sugjeruar se zjarrvënia ka qenë një përpjekje për ta intimiduar për shkak të raportimeve të tij mbi çështje lokale.
“Kjo është e qëllimshme dhe synon të japë një mesazh për punën që bëj. Por nuk do të më frikësojnë, sepse gazetaria për mua është një mision në shërbim të interesit publik,” është shprehur ai.
Me rreth një dekadë përvojë në gazetari, Curri drejton median lokale Bulqiza ime dhe ka bashkëpunuar me BIRN, duke u fokusuar në monitorimin e pushtetit vendor, mjedisin dhe çështjet e komunitetit.
Reagime kanë ardhur edhe nga organizatat për mbrojtjen e gazetarëve. Rrjeti Safe Journalists e ka cilësuar incidentin shqetësues, duke kërkuar hetim të shpejtë dhe transparent, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Ndërkohë, kryetari i Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, e dënoi aktin duke e cilësuar si frikacak dhe të papranueshëm.
“Sami Curri është një gazetar i shkëlqyer. Sulmi ndaj tij është i ulët dhe autorët duhet të vihen përpara drejtësisë,” u shpreh Myzyraj.
“KORÇA BOOM”
















