Një emër që nuk harrohet/ Korça kujton Dr. Miço Llapushin
- 4 days ago
- 1 min read
Sot përkujtohet me respekt dhe mirënjohje Miço Llapushi, një nga figurat më të përkushtuara të mjekësisë në Korçë dhe më gjerë, i cili ia kushtoi jetën shërbimit ndaj njerëzve dhe pacientëve të tij.
I lindur më 20 maj 1938 në Ziçisht, Dr. Miço Llapushi u formua si një mjek me vlera të larta profesionale dhe njerëzore. Ai shërbeu me përkushtim në Bilisht, Lekas dhe më pas në Spitalin e Korçës, ku drejtoi repartin e patologjisë.
Ai u dallua për kompetencën, humanizmin dhe kujdesin e veçantë ndaj çdo pacienti, duke u kthyer në një figurë të respektuar jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga breza të tërë mjekësh që morën prej tij dije dhe frymëzim. Edhe në momentet kur u përball me probleme të rënda shëndetësore, Dr. Miço nuk iu nda asnjëherë misionit të tij fisnik.
Për kontributin dhe punën e palodhur në shërbim të popullit, në vitin 1976 ai u dekorua nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë me dekoratën “Urdhri për Shërbim të Mirë ndaj Popullit”, një vlerësim i merituar për figurën dhe veprën e tij.
Kujtimi i Dr. Miço Llapushit mbetet edhe sot simbol i humanizmit, profesionalizmit dhe sakrificës në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve.
“KORÇA BOOM”
















