top of page

Një tjetër rritje page hyn në fuqi nga 1 janari 2026, kush përfiton

  • 5 days ago
  • 1 min read

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për rritjen e pagave të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Sipas vendimit, paga për gradë do të rritet me 2.5% për të gjithë zjarrfikësit, ndërsa për disa grada do të aplikohet edhe një shtesë shtesë në kuadër të politikës së re të pagave.


Grada që përfitojnë rritje shtesë, përveç indeksimit 2.5%, janë: “Asistent zjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Kryezjarrfikës”, “Nënkomisar zjarrfikës” dhe “Komisar zjarrfikës”. Për gradat e tjera do të zbatohet vetëm indeksimi në masën 2.5%.


Vendimi parashikon zëvendësimin e lidhjes nr.1 të vendimit nr.419, datë 26.6.2024, “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me një lidhje të re që përmban vlerat e përditësuara të pagave.


Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, fondet do të sigurohen nga transferta e miratuar në buxhetin e vitit 2026, si dhe nga të ardhurat e veta të tyre.


Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

"KORCA BOOM"


bottom of page