top of page

Nuk pranuan të flasin, çfarë fshihet pas grupit të arrestuar

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Detaje të reja kanë dalë nga operacioni policor në Sarandë, ku pesë persona u arrestuan nën dyshimin se kishin udhëtuar drejt qytetit për të kryer një atentat.


Sipas informacioneve hetimore, dy personat e kapur të armatosur në zonën e Gjashtës, Sidorel Moriseni dhe Alfred Kaja, 26 vjeç, ndodheshin pranë banesës së biznesmenit Rexhep Ismaili, i cili u ekzekutua në muajin maj të këtij viti.


Gjatë marrjes në pyetje, të dyshuarit kanë mohuar të japin shpjegime për qëllimin e lëvizjeve të tyre dhe kanë kundërshtuar akuzën se kishin shkuar në Sarandë për të kryer një vrasje.


Hetuesit po verifikojnë nëse prania e tyre në atë zonë ka qenë rastësore apo lidhet me persona të afërt të biznesmenit të vrarë. Dyshimet paraprake janë se grupi mund të kishte në shënjestër një person në fshatin Gjashtë, por identiteti i mundshëm i tij nuk është bërë ende publik, pasi të arrestuarit nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me grupin hetimor.


Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestuan edhe tre persona të tjerë, të dyshuar për veprën penale "Moskallëzimi i krimit". Sipas Policisë, hetimet paraprake mbështesin dyshimin se grupi kishte udhëtuar drejt Sarandës me synimin për të kryer një vrasje, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“KORÇA BOOM”


bottom of page