Pas 7.4 ballëve që morën jetë njerëzish, një tjetër tërmet godet pa mëshirë
- Korca Boom
- Oct 10
- 1 min read
Një tërmet i dytë i fuqishëm goditi sot Filipinet jugore, më pak se 12 orë pas një lëkundjeje me magnitudë 7.4 ballë Rihter që shkaktoi vdekjen e të paktën gjashtë personave dhe panik në disa zona bregdetare.
Sipas Institutit Filipinez të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë (PHIVOLCS), tërmeti i dytë kishte një magnitudë 6.9 ballë dhe epiqendra e tij ishte sërish pranë qytetit Manay, në provincën Davao Oriental.
Autoritetet njoftuan se ky nuk është një pasgoditje e tërmetit të mëparshëm, por një tërmet i ri dhe i pavarur. “Ky është një tërmet i ndryshëm. Nuk është një pasgoditje,” deklaroi drejtori i PHIVOLCS, Teresito Bacolcol.
Menjëherë pas goditjes, PHIVOLCS lëshoi një paralajmërim për cunami, duke u bërë thirrje banorëve në zonat bregdetare të provincave Surigao del Sur, Davao Oriental dhe Surigao del Norte të evakuohen menjëherë drejt zonave më të larta.
Sipas autoriteteve, valët e para të cunamit mund të mbërrijnë deri në orën 21:12 me orën lokale. Njësitë e emergjencës janë vendosur në gatishmëri, ndërsa vijon monitorimi i situatës në terren.
Tërmeti i parë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë punën për të ndihmuar banorët e prekur dhe për të kontrolluar ndërtesat e dëmtuara.
“KORÇA BOOM”



















