"Po na çojnë drejt falimentit”/ Tregtarët reagojnë pas aksionit në Korçë
- Apr 10
- 1 min read
Rreth 50 biznese që operojnë në tregtimin e veshjeve në zonën e njohur si tregu maqedonas në Korçë janë përfshirë në një aksion të policisë bashkiake për lirimin e hapësirave publike.
Sipas burimeve zyrtare, ndërhyrja synon zbatimin e rregullave që kufizojnë vendosjen e produkteve jashtë ambienteve të dyqaneve, duke lejuar vetëm një numër të reduktuar elementësh ekspozues përpara tyre.
Nga ana tjetër, tregtarët shprehen se masa ka ardhur në mënyrë të menjëhershme dhe pa njoftim paraprak, çka u ka krijuar vështirësi në sistemimin e mallit. Ata theksojnë se aktivitetin e ushtrojnë prej vitesh në këtë zonë dhe se një ndryshim i tillë ndikon drejtpërdrejt në të ardhurat e tyre.
Situata bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të afrimit të festës së Pashkës, një periudhë e rëndësishme për shitjet, ndërsa disa prej tregtarëve shprehin shqetësimin për pasojat që mund të sjellë kjo masë në vijim.
Po ashtu, ata argumentojnë se hapësira ku operojnë nuk pengon qarkullimin, pasi bëhet fjalë për një rrugë dytësore.
Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve i janë drejtuar Bashkisë së Korçës me një kërkesë për rishikim të situatës dhe gjetjen e një zgjidhjeje që të mos dëmtojë aktivitetin e tyre ekonomik.
“KORÇA BOOM”
















