top of page

Policia dhe ARRSH bashkojnë forcat/ Çfarë pritet të ndryshojë në rrugët e vendit

  • 5 days ago
  • 1 min read

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është zhvilluar një takim pune mes Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hita, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, në kuadër të përgatitjeve për një aksion mbarëkombëtar në akset rrugore.


Takimi u fokusua në marrjen e masave konkrete për lirimin e brezit të sigurisë përgjatë rrugëve kombëtare, ndërsa u bë e ditur se aksioni do të nisë gjatë javës së ardhshme. Qëllimi kryesor është çlirimi i hapësirave anësore të rrugëve dhe krijimi i të ashtuquajturave “korridore të gjelbra”, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore.


Në këtë takim morën pjesë edhe grupet e përbashkëta të punës, të cilat do të angazhohen në terren për zbatimin e masave dhe koordinimin mes institucioneve përkatëse.


Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi angazhimin maksimal të strukturave të policisë për mbështetjen e këtij operacioni, duke kërkuar njëkohësisht që, krahas lirimit të hapësirave, të merren masa administrative dhe penale ndaj çdo shkelësi.


Nga ana tjetër, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar vlerësoi bashkëpunimin institucional dhe bëri me dije se ka nisur puna për evidentimin dhe largimin e çdo ndërtimi apo objekti të vendosur në mënyrë të paligjshme në hapësirat rrugore. Këtu përfshihen tabela reklamuese, depozitime materialesh dhe çdo përdorim tjetër që cenon sigurinë dhe fushëpamjen në akset kombëtare.


Ky operacion pritet të përfshijë të gjitha segmentet rrugore nën administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi.

“KORÇA BOOM”


bottom of page