Pse po kufizohet paraja cash në Shqipëri?
- Korca Boom
- Dec 6
- 2 min read
Tavani prej 500 mijë lekësh për transaksionet me para fizike nga individët konsiderohet i lartë nga Shoqata e Bankave, por sipas Bankës së Shqipërisë, reduktimi i parasë në qarkullim duhet të ndodhë në mënyrë graduale, për t’i dhënë qytetarëve kohë për t’u përshtatur.
“Në gjykimin tonë është një vlerësim që bëhet duke marrë në konsideratë nivelin e qarkullimit të parasë fizike, kohën e shkurtër për të cilën këto masa duhet të merren, dhe nevojën që individët të kenë kohë të përqafojnë një nismë të tillë. Është një limit që i përshtatet stilit të jetesës së individëve. Në të ardhmen besoj se ky limit do të rishihet gradualisht në ulje”, deklaroi Ledia Bregu, drejtoreshë e Departamentit të Sistemeve të Pagesave në Bankën e Shqipërisë.
Digjitalizimi i pagesave, një nevojë ekonomike
Banka Qendrore thekson se zgjerimi i pagesave elektronike dhe ulja e përdorimit të parasë fizike lidhet drejtpërdrejt me kostot që cash-i i shkakton ekonomisë.
“Cash-i rezulton të jetë shumë i kushtueshëm për ekonominë shqiptare. Studimet tregojnë se përdorimi dhe administrimi i parasë fizike i kushton rreth 1.7% të PBB. Shumë më i shtrenjtë sesa paraja elektronike. Në këtë frymë është ndjekur qasja për zhvendosjen graduale nga paraja fizike drejt transaksioneve digjitale, në bashkëpunim me aktorë të ndryshëm”, shtoi Bregu.
Rreziqet e tranzicionit
Megjithatë, kalimi drejt pagesave digjitale shoqërohet edhe me rreziqe.
“Rreziqet lidhen me kulturën e ulët financiare dhe vulnerabilitetin ndaj instrumenteve elektronike, veçanërisht për ata që nuk i kanë përdorur më parë. Me këtë vjen rreziku i mashtrimit, i tjetërsimit të të dhënave, mungesa e likuiditetit apo faktorë të tjerë që ndryshojnë sjelljen e individëve. Duhet edukim financiar dhe një legjislacion që mbron konsumatorin, në mënyrë që të kenë një derë ku të trokasin kur ndodhin probleme”, u shpreh përfaqësuesja e BSH.
Kufizimet e reja në paketën fiskale 2026
Në paketën fiskale për vitin 2026, qeveria ka ulur më tej limitin e transaksioneve me para fizike për bizneset, nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë. Për herë të parë është vendosur edhe kufiri prej 500 mijë lekësh për veprimet që individët mund të kryejnë me cash.
Paralelisht, të gjitha bizneset do të detyrohen që brenda vitit 2026 të instalojnë pajisje për pranimin e pagesave elektronike.
"KORCA BOOM"



















