Përleshje në Zvicër: Boksieri shqiptar Astrit Sejdi përplaset fizikisht me djalin e Arkanit
- Korca Boom
- Aug 11, 2025
- 1 min read
Boksieri shqiptar Astrit Sejdi është përfshirë në një incident të dhunshëm pasditen e së dielës në Zvicër. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Zyrihut, ku pas një konflikti verbal, ai është përleshur fizikisht me Veljko Ražnatović, djalin e Zeljko Ražnatović, i njohur ndryshe si Arkani — ish-udhëheqësi i njësisë paraushtarake serbe “Tigrat e Arkanit”.
Lajmi është bërë publik nga ish-deputeti Azgan Haklaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. Sipas tij, përplasja ka ndodhur pasi Veljko mbante veshur një bluzë me portretin e babait të tij dhe të presidentit rus Vladimir Putin — gjë që ka provokuar reagimin e boksierit shqiptar me origjinë nga Kumanova.
“Sot në orën 17:25 në Zyrih, ky djalosh trim nga Kumanova, Astrit Sejdi, nuk ka duruar dot kur ka parë në bluzën e djalit të Arkanit portretin e Arkanit dhe Putinit. Menjëherë ka ndërhyrë dhe e ka përplasur si buldozer”, shkruan Haklaj në postimin e tij.
Sipas të njëjtit burim, Sejdi është shoqëruar në komisariat pas incidentit, por është liruar dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Kush ishte Arkani?
Zeljko Ražnatović, i njohur si Arkani, ishte udhëheqës i njësisë paraushtarake serbe “Tigrat e Arkanit”, të njohur për përfshirjen në krime lufte gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë në vitet ’90. Ai akuzohej për krime të rënda, përfshirë vrasje, dëbime dhe mizori ndaj civilëve jo-serbë. Arkani u vra në janar të vitit 2000 në një atentat të ndodhur në Beograd.
“KORÇA BOOM”



















