top of page

Qeveria merr vendimet e reja, ndryshime për energjinë, pagat dhe administratën

  • May 28
  • 1 min read

Qeveria ka miratuar këtë të enjte një sërë vendimesh dhe projektligjesh që prekin disa sektorë të rëndësishëm, duke nisur nga energjia dhe zhvillimi ekonomik, te administrata publike, Forcat e Armatosura dhe mbështetja për shoqërinë civile.


Në mbledhjen e zhvilluar më 28 maj 2026, Këshilli i Ministrave miratoi ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në fshatin Povelçë, njësia administrative Dërmenas, në Bashkinë Fier.


Projekti do të realizohet nga shoqëria “FOS SOLAR” dhe konsiderohet një tjetër investim në sektorin e energjisë së rinovueshme në vend.


Po ashtu, qeveria miratoi listën e projekteve fituese që do të financohen gjatë vitit 2026 nga fondi për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore. Vendimi synon forcimin e masave parandaluese dhe përmirësimin e reagimit ndaj emergjencave në zona të ndryshme të vendit.


Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte shpallja e disa zonave në territoret e bashkive Gjirokastër dhe Fier si “Zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”, me synimin për të nxitur investimet dhe zhvillimin ekonomik në këto rajone.


Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu Kodin e Etikës së Vullnetarit, si dhe disa ndryshime në strukturën e pagave dhe shtesave për funksionarët dhe punonjësit e administratës publike.


Në fushën e mbrojtjes, u miratua edhe njësimi i gradave ushtarake me funksionet organike në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.


Ndërkohë, në mbledhjen e sotme u miratuan edhe disa projektligje, mes tyre ai për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore, si dhe ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.

“KORÇA BOOM”


bottom of page