Rama: Qyteti nuk mund të mbahet peng nga një krizë institucionale, koha për zgjedhje të reja dhe për një drejtim të plotë të Bashkisë Tiranë
- Korca Boom
- Sep 24, 2025
- 2 min read
Në një mbledhje me deputetët dhe ministrat, kryeministri Edi Rama komentoi situatën politike në kryeqytet dhe hodhi kritika në drejtim të opozitës, të cilën e akuzoi për sulme dhe shpifje ndaj ish-kryebashkiakut Erion Veliaj. Megjithatë, Rama theksoi se nuk i takon atij të komentojë proceset e drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama prezantoi Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, duke u shprehur optimist për një fitore në zgjedhjet e ardhshme, bazuar në sondazhet e kryera nga partia.
"Pas shtatë muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në detyrë, dhe po ashtu pa një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia në lidhje me detyrën, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm, por të domosdoshëm për fatin e kryeqytetit. Këshilli Bashkiak vendosi të hapë rrugën për zgjedhje të reja dhe të rindizet me kapacitet të plotë puna në Bashkinë e Tiranës," tha Rama.
Ai kritikoi ashpër reagimet e opozitës dhe debatet publike mbi këtë vendim, duke shtuar: "Janë thënë e llomotitur shumë gjëra, por nuk ia vlen të merremi me ata që vetëm sa nxisin tensione. Ka nga ata që nuk e mundën dot Erionin as në tri palë zgjedhje rresht, e sot përpiqen të përfitojnë nga një letër anonime kundër një kundërshtari që nuk mund të mbrohet."
Rama shtoi se procesi gjyqësor dhe akuzat publike ndaj Veliajt nuk janë çështje për ndërhyrje politike, duke theksuar se qëndrimi i mazhorancës është të mos lejojë që kryeqyteti të mbetet pa drejtim institucional për një kohë të gjatë.
"Detyra jonë është të adresojmë boshllëkun që çdo ditë po bëhet më i thellë në Bashkinë e Tiranës. Qytetarët nuk mund të bashkëjetojnë me një bashki pa drejtim. Duhet të nisim sa më parë përgatitjet për zgjedhjet e reja," theksoi ai.
Ai përmbylli fjalën me bindjen se, me kandidaten e duhur dhe angazhimin e duhur, rezultati do të jetë ai që kërkohet nga qytetarët. "Anketimet që kemi kryer së fundmi tregojnë qartë se qytetarët nuk janë të përqendruar te emrat e kandidatëve, por te problemet konkrete që kërkojnë zgjidhje," deklaroi Rama.
“KORÇA BOOM”



















