S’ka më mistere në fushë! Vendimet e VAR-it do të shpallen me zë nga gjyqtari
- Korca Boom
- Aug 5
- 1 min read
Disenjatori i arbitrave në Serie A dhe B, Xhianluka Roki, ka konfirmuar një ndryshim të rëndësishëm që do të zbatohet nga sezoni i ardhshëm në futbollin italian. Bëhet fjalë për një procedurë të re që ka të bëjë me komunikimin e vendimeve të marrë përmes sistemit VAR.
“Karakteristika e re e sezonit të ardhshëm do të jenë njoftimet në fushë,” u shpreh Roki. “Gjyqtari do të jetë në gjendje të shpjegojë vendimin e marrë pas një ndërhyrjeje të VAR-it, direkt në stadium dhe përmes transmetimit televiziv.”
Sipas tij, kjo është një risi e shumëpritur që synon të rrisë transparencën dhe qartësinë për publikun, ekipet dhe opinionin sportiv. “Ky është një hap i rëndësishëm përpara në komunikim, për të cilin jemi përkushtuar prej vitesh. Tani, shpjegimet do të jepen në kohë reale, para të gjithëve,” shtoi ai.
Roki theksoi gjithashtu se Federata do të përgatisë plotësisht gjyqtarët për këtë risi. Do të ketë trajnime të posaçme për të standardizuar gjuhën dhe përmbajtjen e komunikimit, në mënyrë që çdo vendim të jetë i kuptueshëm për publikun.
“Nuk ka një kohë maksimale për njoftimet në fushë. Ato do të bëhen sapo gjyqtari të marrë vendimin përfundimtar pas shqyrtimit të VAR-it,” përfundoi Roki.
“KORÇA BOOM”



















