Sekuestrohen tonelata drogë dhe armë, grupi shqiptar kishte kthyer qytetin në bazë kriminale, ja emrat
- Korca Boom
- Sep 27, 2025
- 2 min read
Një operacion i gjerë antidrogë, i zhvilluar nga policia greke në bashkëpunim me forcat speciale EKAM, ka çuar në goditjen e një grupi të organizuar kriminal të përbërë nga shtetas shqiptarë. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjashtë persona dhe është sekuestruar një sasi shumë e madhe lëndësh narkotike dhe armësh, me një vlerë të përllogaritur deri në tetë milionë euro.
Sipas burimeve zyrtare, operacioni u zhvillua në zona të ndryshme të Athinës dhe Arkadias, ku grupi kishte kultivuar drogë dhe po shpërndante substanca narkotike si kanabis, kokainë, ketaminë, ekstazi dhe MDMA.
Në krye të këtij rrjeti qëndronte një 39-vjeçar me emrin Fatjon Prendi, i cili rezulton me precedentë penalë për tentativë vrasje dhe grabitje në Greqi. Pas tij në hierarki vinte 36-vjeçari Elson Ndreca.
Si bashkëpunëtorë të tyre për ruajtjen dhe magazinimin e drogës, transportin dhe pajisjet ndihmëse, në pranga ranë edhe një 35-vjeçare me emrin Brisejda Cami, një 73-vjeçare me emrin Pashke Gega dhe një tjetër 35-vjeçare me emrin Zoje Ndoj.
Në pranga ra gjithashtu edhe 50-vjeçari Arben Mashi, i cili jetonte në mënyrë të paligjshme në Greqi. Atij iu gjet një thikë gjatë kontrollit, ndërsa rezulton se është i njohur nga autoritetet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shkelje të ligjit për armët dhe emigracionin.
Sasia e sekuestruar gjatë operacionit përfshin një ton e 161 kilogramë kanabis, një mijë e gjashtëqind e dyzet rrënjë kanabisi, 4.3 gramë kokainë, 3.5 gramë ketaminë, 10 gramë kristal methamfetaminë, 9 tableta ekstazi, si dhe celularë, para cash dhe armë të ftohta.
Sipas policisë greke, vetëm nga tregtimi i këtyre lëndëve narkotike, grupi do të kishte përfituar deri në tetë milionë euro. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e kësaj organizate kriminale, si dhe lidhjet e mundshme me grupe të tjera në rajon.
“KORÇA BOOM”



















