Si të aplikoni për rivlerësimin e pasurisë dhe të përfitoni nga ulja e tatimit
- 14 hours ago
- 2 min read
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka publikuar udhëzimin për të aplikuar rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, pas reduktimit të tatimit nga 15% në 5%. Ky proces mund të kryhet përmes portalit e-Albania, dhe përfshin hapat e mëposhtëm:
Identifikimi në e-Albania – Hyni në portal me kredencialet tuaja.
Zgjedhja e shërbimit – Zgjidhni “Rivlerësimi i Pasurisë” dhe klikoni “Përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin”.
Përzgjedhja e pasurisë – Zgjidhni pasurinë që dëshironi të rivlerësoni; automatikisht shtohet edhe shërbimi “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”.
Ngarkimi i dokumenteve – Bashkangjitni dokumentin e pronësisë ose aktin e ekspertimit dhe licensën e ekspertit (nëse rivlerësimi është kryer nga ekspert i licencuar) në format PDF.
Shfaqja e tarifës dhe dërgimi – Sistemi tregon tarifën minimale të shërbimit; në përfundim klikoni “Dërgo”.
Tarifat e shërbimit bazuar në shumën e tatimit:
Deri në 150,000 lekë tatim → 3,500 lekë
150,001 – 300,000 lekë tatim → 7,000 lekë
Mbi 300,001 lekë tatim → 10,000 lekë
Pas përllogaritjes ose verifikimit nga eksperti i licencuar, përcaktohet tarifa përfundimtare, e cila do të përfshihet në faturën e e-Albania.
Rregullat e rivlerësimit:
Rivlerësimi mund të kryhet nga ASHK-ja, sipas çmimeve minimale fiskale, ose nga një ekspert i licencuar.
Baza tatimore është diferenca midis vlerës së rivlerësuar dhe vlerës së regjistruar më parë.
Për ndërtesat, nga çmimi i referencës zbritet 1% për çdo vit përdorimi, deri në maksimum 30%.
Për tokat përdoret çmimi minimal fiskal për metër katror sipas hartës së vlerave.
Në rast rivlerësimi nga ekspert i licencuar, vlera nuk mund të jetë më e ulët se çmimi minimal fiskal.
Ky proces ofron një mënyrë transparente dhe të thjeshtë për individët që të rivlerësojnë pasuritë e tyre dhe të përfitojnë nga ulja e tatimit në 5%.
"KORCA BOOM"
















