Si është të jesh e moshuar dhe të ndjesh lirinë e vërtetë
- Korca Boom
- Oct 12
- 2 min read
Një zonjë e shkuar në moshë tregon se një ditë, një i ri i bëri një pyetje, sa të pafajshme, aq edhe domethënëse:– Si është të jesh e moshuar?
U befasova shumë nga pyetja, pasi nuk e konsideroja veten të vjetër, ndonëse nuk isha aq budallaqe sa të mendoja se isha ende e re, – thotë ajo.
Kur i riu pa reagimin tim, menjëherë u ndje në faj, dhe unë e kuptova se ishte një pyetje pa të keq. Prandaj vazhdova, duke i shpjeguar se ishte një pyetje interesante, e cila meritonte një përgjigje.
Pas reflektimit, arrita në përfundimin se plakja është një dhuratë, ashtu siç ishte rinia vite më parë një sfidë – jo vetëm me hijeshi, por edhe me beteja që duheshin përballuar dhe luftëra që duheshin fituar.
Ndonjëherë habitem me personin që shoh në pasqyrë.Por ka kohë që nuk shqetësohem më për këto gjëra.
Nuk do ta ndërroja gjithçka që kam për disa qime më pak të thinjura apo një bark më të sheshtë.Nuk e qortoj më veten që nuk e rregulloj shtratin, që ha disa "gjëra të vogla" shtesë, që i hedh një sy ndonjë burri të këndshëm apo që dëshiroj praninë e një shpirti të bukur.
Jam në të drejtën time të jem pak e çrregullt, të jem ekstravagante, të kaloj orë të tëra duke i ngulur sytë te lulet e mia, të jem vetja – në çdo urtësi apo lajthitje – të shijoj atë që dua, edhe pse dikujt mund të mos i pëlqejë.
Kam parë miq të dashur të largohen nga kjo botë, përpara se të kishin mundësinë të shijonin lirinë që sjell plakja, të përjetonin fuqishëm këtë dhuratë të moshës, të mbërrinin aty ku çdo gjë hidhet pas krahëve, ku misioni konsiderohet i përmbushur, ku jetohet me veten dhe për veten – pa dhënë llogari, pa lejuar askënd të bëjë llogaritë e tua.
“KORÇA BOOM”



















