“Skandal me farën e patates në Maliq, fermerët: 80% e prodhimit i shkatërruar”
- May 29
- 2 min read
Dhjetëra hektarë tokë të mbjella me patate në zonën e Maliqit rezultojnë të dëmtuara rëndë, duke shkaktuar një situatë alarmante për fermerët vendas, të cilët pretendojnë se shkaku i dëmit është fara e skaduar e blerë tek tregtarët vendas.
Sipas fermerëve, problemi është shfaqur menjëherë pas mbjelljes, ku rreth 70 deri në 80 për qind e sipërfaqeve të kultivuara nuk kanë arritur të mbijnë fare, ndërsa pjesa tjetër e bimëve që kanë dalë nga toka rezulton e dëmtuar, e kalbur dhe jashtë çdo standardi bujqësor.
Në parcelat që më parë ishin shpresë për një sezon të mirë prodhimi, sot shihen vetëm rrënjë të prishura dhe toka të mbetura pothuajse bosh.
Fermerët shprehen të indinjuar, duke theksuar se dëmi financiar është shumë i madh dhe shkon në miliona lekë. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore për të verifikuar cilësinë e farës së përdorur dhe për të mbajtur përgjegjësit tregtarët që e kanë shpërndarë atë në treg.
Një prej fermerëve, Krenar Kreka, shprehet se kjo është hera e parë pas shumë vitesh pune që përballet me një situatë të tillë. Ai thotë se fara është blerë në një dyqan bujqësor në zonën e Lumasit, i cili, sipas tij, furnizohet nga importues në Tiranë.
“Kam 25 vite që punoj me këtë farë patateje dhe s’na ka dhënë asnjëherë këtë problem. 75 për qind nuk ka mbirë fare, edhe ajo që ka mbirë është e prishur. Shteti nuk ka bërë analiza për farën në doganë, na sorollatin. Dëmi është mbi 30 milionë lekë. I bëj thirrje shtetit të sjellë specialistë dhe të na dëmshpërblejë. Kam tre fëmijë për të mbajtur”, shprehet fermeri.
Fermerët kërkojnë që rasti të hetohet dhe të merren masa të menjëhershme, pasi sipas tyre situata rrezikon seriozisht sezonin bujqësor dhe ekonominë e shumë familjeve që jetojnë nga bujqësia në këtë zonë.
Në pritje të një reagimi zyrtar, ata thonë se do të vijojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe zgjidhje për dëmin e shkaktuar, i cili i ka lënë pa prodhim dhe pa të ardhura për këtë sezon.
“KORÇA BOOM”
















