Sulmuan me sende të forta autobusët e tifozëve të Jagiellonias: Arrestohen 3 persona
- Korca Boom
- Aug 29, 2025
- 1 min read
Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona dhe ka proceduar penalisht dy të mitur, pas një incidenti të ndodhur pas mesnate në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, ku u sulmuan me sende të forta tre autobusët që transportonin tifozët e ekipit të Jagiellonias, pas kualifikimit të ekipit të tyre në Conference League. Jagellonia barazoi me Dinamon 1-1, por fitorja në fushën kundërshtare 3-0, bëri që në play-offf të kalonte skuadra polake.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. M., 32 vjeç
K. S., 29 vjeç
Sh. S., 30 vjeç
Ndërkohë, materialet iu referuan Prokurorisë edhe për 2 shtetas të mitur, 17 vjeç, të cilët u proceduan në gjendje të lirë.
Hetimet e deritanishme tregojnë se autorët penguan qarkullimin e automjeteve dhe më pas goditën me sende të forta autobusët, duke shkaktuar dëme materiale. Policia njofton se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim.
“KORÇA BOOM”



















