T*err në orët e para të mëngjesit, tre fëmijë shqiptarë gjenden të pajetë pas zjarrit
- 3 minutes ago
- 2 min read
Një tragjedi e rëndë ka tronditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë humbën jetën pas një zjarri të fuqishëm që përfshiu banesën e tyre në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Zjarri u raportua rreth orës 05:15 në një banesë dykatëshe në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, kati i parë ishte përfshirë nga flakët, ndërsa tymi kishte pushtuar katin e dytë.
Dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga banesa, ndërsa gjatë kontrollit të ndërtesës ekipet e shpëtimit gjetën tre fëmijë të tjerë pa shenja jete.
Katër persona të tjerë, mes tyre dy fëmijë dhe dy të rritur, u dërguan në spital dhe raportohet se ndodhen në gjendje kritike. Një foshnjë dhe një i rritur u nxorën nga një dritare e katit të dytë me ndihmën e personave që ndodheshin pranë banesës.
Familjarë të mbërritur në vendngjarje konfirmuan për mediat amerikane se familja është me origjinë shqiptare. Sipas tyre, tre fëmijët që humbën jetën ishin djem.
Në vendngjarje u panë edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari, të cilët u përballën me lajmin tragjik për humbjen e nipërve të tyre.
Zjarrfikësit arritën ta vinin zjarrin nën kontroll rreth orës 05:40. Banesa pësoi dëme të mëdha, ndërsa dëmtime pati edhe në dy njësi të tjera pranë saj. Për familjarët dhe personat e mbetur pa strehë është angazhuar edhe Kryqi i Kuq Amerikan.
Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e tragjedisë, ndërsa Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe solidaritetin me të plagosurit dhe të gjithë personat e prekur nga ngjarja.
“KORÇA BOOM”
















