top of page

TIRANA PA DRITA/ Ikën energjia elektrike në disa zona të kryeqytetit, preket nga defekti dhe QSUT

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 51 minutes ago
  • 2 min read

Një pjesë e madhe e Tiranës po përballet prej më shumë se një jave me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe bizneset.


Zonat më të prekura janë Vasil Shanto, Pallati me Shigjeta, rruga e Dibrës, si dhe lagje që i përkasin Njësive Administrative 1 dhe 2, përfshirë Ali Demi, Shkozë, Tregu Elektrik, Sauk dhe Farkë.


Sipas burimeve paraprake, dyshohet për një defekt të rëndë teknik në nënstacionin e Njësisë 2, ndërsa nga OSHEE konfirmohet se shkaku lidhet me probleme në linjat e tensionit të lartë 110 kV, të administruara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).


Autoritetet bëjnë me dije se po punohet për zgjidhje alternative, përmes furnizimit të nënstacioneve nga linja të tjera, me synimin për rikthimin gradual të energjisë.

Megjithatë, mungesa e një njoftimi zyrtar për afatet dhe zgjatja e krizës prej ditësh kanë shtuar kritikat ndaj drejtimit të OSHEE-së, me qytetarët që ankohen për mungesë reagimi dhe transparence.


Gjithashtu, ky defekt ka prekur edhe QSUNT.


Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh te familjarët e pacientëve, të cilët raportojnë se për rreth 20 minuta Reanimacioni, sallat e operacionit dhe korridoret e QSUT-së kanë mbetur pa energji elektrike.


Sipas tyre, situata ka krijuar panik dhe pasiguri, ndërsa stafi mjekësor nuk ka dhënë sqarime lidhur me shkakun e ndërprerjes apo kohën e rikthimit të energjisë.


Pamjet tregojnë zona të tëra të spitalit në errësirë të plotë, çka ka rritur frikën për sigurinë e pacientëve në gjendje kritike, veçanërisht atyre që ndodheshin në Reanimacion apo në sallat kirurgjikale në momentin e ndërprerjes.


Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e sistemeve rezervë të furnizimit me energji elektrike dhe zbatimin e protokolleve emergjente në spitalin më të madh të vendit.

Në mungesë të një reagimi zyrtar nga institucionet përgjegjëse, qytetarët kërkojnë sqarime dhe garanci se situata të tilla nuk do të përsëriten, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page