Tjetër aksion AMP/ Ndalohet oficeri i Krimeve të Rënda për “shpërdorim detyre” (Emri)
- 59 minutes ago
- 2 min read
Pas arrestimit të shefit të komisariatit dhe 4 efektivëve, operacioni zgjerohet sërish në policinë e Sarandës
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndërmarrë një tjetër operacion në Komisariatin e Sarandës, duke thelluar hetimet mbi skandalin e ndërtimeve pa leje dhe dyshimet për përfshirjen e efektivëve të policisë në favorizimin e paligjshmërive në bregdetin e jugut.
Burime paraprake bëjnë me dije se deri tani është ekzekutuar një urdhër ndalimi ndaj një oficeri të seksionit të krimeve të rënda në Komisariatin e Sarandës, i dyshuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Ai është nënkomisari Edmond Ruçi.
Ende nuk dihet se për çfarë shkeljesh bëhet fjalë, por operacioni është ende në vijim dhe detaje të reja pritet të bëhen publike nga vetë AMP.
Ky është operacioni i dytë i AMP brenda pak ditësh në Sarandë, pas aksionit të bujshëm të 15 majit, ku u ndaluan shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, si dhe tre efektivë të tjerë: nënkomisari Andi Duro, nënkomisari Ajdin Ismailaj dhe inspektori Robert Çullaj.
Sipas AMP, ndaj tyre rëndojnë dyshime për “shpërdorim detyre”, “kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “mosmarrje masash për ndërprerjen e paligjshmërisë”, lidhur me ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil.
Hetimet dyshohet se kanë zbuluar një skemë ku efektivë policie jo vetëm kanë toleruar ndërtimet e paligjshme në vijën bregdetare, por në disa raste kanë kryer edhe veprime procedurale në kundërshtim me ligjin për të favorizuar subjektet e përfshira.
Sipas të dhënave paraprake, AMP po heton dyshime se në zonat më të lakmuara turistike të jugut janë krijuar lidhje mes efektivëve të policisë dhe grupeve apo subjekteve që kryenin ndërtime pa leje, duke shmangur kontrollet dhe ndërhyrjet ligjore.
Operacioni i ri tregon se hetimet nuk janë mbyllur vetëm me ndalimin e drejtuesve lokalë të policisë, por po zgjerohen edhe në strukturat e tjera të Komisariatit të Sarandës.
Burime pranë hetimit nuk përjashtojnë mundësinë e ndalimeve të tjera në vijim, ndërsa Prokuroria e Sarandës dhe AMP po vijojnë verifikimet për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në skemën e dyshuar të abuzimeve me ndërtimet pa leje në bregdet.
“KORÇA BOOM”
















