top of page

Të huajt “pushtojnë” bregdetin, miliona euro në prona në Shqipëri

  • 7 days ago
  • 2 min read

Të huajt po blejnë gjithnjë e më shumë prona në bregdetin e Shqipërisë, duke e kthyer këtë sektor në një nga më të preferuarit për investime të huaja në ekonomi.


Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë tre muajve të parë të vitit janë investuar rreth 175 milionë euro në pasuri të paluajtshme, shifër që përbën nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë dhe e vendos këtë segment në krye të të gjithë sektorëve të ekonomisë.


Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme theksojnë se interesi i të huajve është i përqendruar kryesisht në zonat bregdetare, të cilat shpesh mungojnë në vendet e tyre të origjinës. Sipas tyre, blerësit vijnë kryesisht nga Çekia, Polonia, Gjermania dhe vendet nordike, duke shfaqur interes për pothuajse të gjithë vijën bregdetare shqiptare.


“Blerësit e huaj janë të përqendruar kryesisht në bregdet, një aset që shpesh mungon në vendet e tyre. Ata vijnë kryesisht nga Çekia, Polonia, Gjermania dhe vendet nordike, të cilët po blejnë në të gjithë vijën bregdetare. Ka ndikuar edhe përmirësimi i infrastrukturës në këto zona, si dhe potenciali që ata shohin për zhvillim, duke iu referuar edhe vendeve të rajonit ku çmimet janë disa herë më të larta se në Shqipëri”, tha eksperti i pasurive të paluajtshme Ervin Demirxhiu.

Prania në rritje e blerësve të huaj po ndikon edhe në rritjen e çmimeve të apartamenteve dhe pronave në zonat bregdetare. Sipas ekspertëve, çdo rritje e kërkesës reflektohet drejtpërdrejt në treg.

“Ka pasur ndikim të konsiderueshëm. Nëse do të mungonin blerësit e huaj, pesha e investimeve në pronat bregdetare do të ishte dukshëm më e ulët. Çdo rritje e kërkesës shoqërohet me rritje të çmimeve”, shtoi Demirxhiu.


Pavarësisht protestave dhe debateve të fundit lidhur me projektet turistike në disa zona bregdetare, ekspertët vlerësojnë se këto zhvillime nuk pritet të kenë ndikim të madh në interesin e investitorëve të huaj.


Sipas tyre, kjo kategori blerësish fokusohet më shumë te stabiliteti i tregut, siguria e investimit dhe besueshmëria e ndërtuesve, sesa te zhvillimet politike apo protestat lokale.


Ndërkohë, sipas platformës Numbeo, bregdeti shqiptar vijon të mbetet më i lirë krahasuar me vendet e tjera të rajonit, çka e bën edhe më tërheqës për investitorët e huaj që kërkojnë kthim më të lartë të investimit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page