Vendimi i Tatimeve që prek pagat dhe kontributet shoqërore në 2026
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar zyrtarisht ndryshimin e niveleve të pagave referencë në vend, një vendim që ka hyrë në fuqi që nga fillimi i vitit 2026.
Sipas njoftimit për shtyp, duke nisur nga data 1 janari 2026, paga minimale mujore në shkallë vendi është rritur dhe tashmë është fiksuar në nivelin 50,000 lekë. Ky ndryshim synon përditësimin e bazës së pagave në përputhje me zhvillimet ekonomike dhe tregun e punës.
Paralelisht me rritjen e pagës minimale, Tatimet kanë njoftuar edhe ndryshimin e kufirit maksimal të pagës për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore. Paga maksimale mujore referencë do të jetë 186,416 lekë. Kjo do të thotë se për çdo pagë bruto që tejkalon këtë vlerë, kontributet shoqërore do të llogariten vetëm mbi këtë tavan të ri.
“Nga 1 janari 2026 rritet paga minimale dhe maksimale. Paga minimale mujore bëhet 50,000 lekë, ndërsa paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore do të jetë 186,416 lekë,” thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas DPT-së, këto ndryshime kanë shtrirje të gjerë dhe vlejnë jo vetëm për të punësuarit, por edhe për të vetëpunësuarit si dhe për punonjësit e papaguar të familjes.
Bizneset dhe subjektet ekonomike duhet të reflektojnë këto ndryshime në listëpagesat e para të vitit 2026, të cilat pritet të dorëzohen brenda këtij muaji.
"KORCA BOOM"



















