Vllaznia e nis me fitore bindëse sezonin e ri, mposht kampionët në fuqi
- Aug 22, 2025
- 2 min read
Vllaznia ka bërë një nisje perfekte në sezonin 2025-2026, duke triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj kampiones në fuqi, Egnatias. Shkodranët zhvilluan një ndeshje të fortë përpara tifozëve të tyre në stadiumin “Loro Boriçi” dhe treguan se janë të gatshëm të luftojnë për objektiva të larta këtë edicion.
Kuqeblutë ishin dominues që në fillim dhe shpërblimi erdhi shumë shpejt. Në minutën e 18-të, kapiteni Erdenis Gurishta përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Dajsinani dhe me një goditje me kokë zhbllokoi sfidën, duke ndezur festën në shkallët e stadiumit.
Vetëm pak minuta më vonë, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, shpërtheu në protesta pas një faulli të padhënë në mesfushë dhe për pasojë u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri, duke lënë pankinën që herët.
Në minutën e 33-të, Bekim Balaj pati mundësinë të dyfishonte rezultatin nga pika e bardhë, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit, duke humbur një rast të artë.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0, ndërsa fraksioni i dytë nisi menjëherë me gol. Në minutën e 49-të, Melos Bajrami shfrytëzoi një krosim në zonë dhe me saktësi dërgoi topin në rrjetë, duke çuar shifrat në 2-0.
Situata u rëndua për Egnatian në minutën e 56-të, kur futbollisti Votlai, sapo i futur në lojë, mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë.
Vllaznia vazhdoi të krijonte raste, me Gjinin dhe Fernandon që iu afruan golit të tretë.
Ndërkohë, portieri Aron Jukaj ishte vendimtar në disa raste, duke ndalur përpjekjet e rrezikshme të kundërshtarëve, përfshirë dhe një goditje të fortë nga Jahaj.
Në fund, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Vllaznia regjistroi një fitore të rëndësishme 2-0 përballë një Egnatie që duket në krizë pas largimeve të shumta gjatë merkatos së verës.
Kampionia në fuqi e nis sezonin me vështirësi, ndërsa Vllaznia dërgon një mesazh të qartë për rivalët: këtë vit janë për t’u marrë seriozisht.
“KORÇA BOOM”
















