Zbulim m*kabër në një banesë, trupat e nënës dhe motrës të fshehur prej muajsh
- 5 days ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur opinionin publik në Greqi, ku një burrë dyshohet se ka vrarë nënën dhe motrën e tij, ndërsa trupat e tyre u gjetën të fshehur brenda banesës.
Sipas mediave vendase, përfshirë Protothema, autori i dyshuar është djali i viktimës më të moshuar dhe njëkohësisht vëllai i gruas 56-vjeçare.
Hetimet paraprake tregojnë se, në përpjekje për të fshehur krimin, ai ka murosur trupat në një nga dhomat e shtëpisë. I dyshuari u ka deklaruar hetuesve se kishte frikë se familjarët do t’i merrnin pasurinë, ndërsa për vdekjen e motrës fillimisht kishte pretenduar se kishte ndodhur si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Megjithatë, nga verifikimet e kryera rezultoi se trupi i saj kishte qëndruar i fshehur në banesë për rreth tre muaj. Pranë saj u gjet edhe trupi i pajetë i nënës, e cila dyshohet të jetë vrarë disa ditë më vonë.
Rasti u zbulua pas denoncimeve të fqinjëve për zhdukjen e dy grave. Gjatë kontrollit në banesë, policia konstatoi elemente të dyshimta, përfshirë një derë të mbuluar me material ndërtimi, çka çoi në zbulimin e trupave.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
“KORÇA BOOM”
















