top of page

Zjarri në Aksin Kapshticë-Bilisht: Flakët rrezikojnë rrugën nacionale dhe zonat kufitare

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jul 21, 2025
  • 1 min read

Pasditen e sotme, situata është bërë tepër kritike në aksin rrugor Kapshticë–Bilisht, për shkak të vatrave të shumta zjarri që janë përhapur në afërsi të kësaj rruge nacionale.


Flakët kanë përfshirë dhe shkatërruar plotësisht bimësinë e ulët dhe kullotat, pavarësisht angazhimit të më shumë se 100 efektivëve të shërbimeve zjarrfikëse, pyjore dhe të policisë kufitare, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë ditës për të mbajtur situatën nën kontroll.


Zjarri, që ka nisur prej ditës së djeshme, ka djegur sipërfaqe të mëdha pyjore, duke filluar nga fshati Vërnik dhe deri pranë pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Aktualisht, forcat zjarrfikëse ndodhen përgjatë aksit nacional për të parandaluar përhapjen e flakëve në anën tjetër të rrugës.


Pala shqiptare ka kërkuar ndihmë ajrore nga autoritetet greke, por deri në këto momente nuk ka patur një reagim zyrtar.


Në këtë situatë emergjente, është bërë i mundur shpëtimi i dy fermave bletarie si dhe i disa mjeteve të sekuestruara nga policia kufitare. Ndërhyrja e menjëhershme ka shmangur dëme të mëdha në këto prona.

“KORÇA BOOM”



bottom of page