top of page

Adoleshentë shqiptarë “dembelë” ushqehen mirë, por 75% bëjnë jetë sedentare

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 days ago
  • 2 min read

Shëndeti dhe stili i jetesës së adoleshentëve të sotëm është shumë i rëndësishëm për të matur cilësinë e kapitalit njerëzor në dekadën e ardhshme.


Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon se fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë konsumojnë më shumë fruta dhe perime se bashkëmoshatarët e tyre europianë, por ndërkohë pinë shumë më tepër pije me sheqer dhe janë shumë më pak aktivë fizikisht në krahasim me vendet e tjera të Europës.


Përqindja e fëmijëve që nuk konsumojnë fruta apo perime çdo ditë është shumë më e ulët se mesatarja europiane, çka tregon se zakonet ushqimore të fëmijëve shqiptarë janë disi më të shëndetshme.


Edhe për sa i përket mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët 6–9 vjeç, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të ulët, rreth 20%, ndërkohë që mesatarja e rajonit të OBSH-së në Europë është afër 40%. Këto të dhëna tregojnë një situatë relativisht pozitive në raport me shumë vende të tjera europiane.


Nga ana tjetër, treguesi për aktivitetin fizik mbetet problematik. Rreth tre të katërtat e fëmijëve shqiptarë janë fizikisht joaktivë, një nivel i ngjashëm me mesataren europiane, por shumë larg vendeve që performojnë më mirë në këtë drejtim. Edhe konsumi i pijeve të gazuara është disi më i lartë se në vendet më të zhvilluara.


Këto të dhëna sugjerojnë se, ndërsa ushqyerja është relativisht e mirë, mënyra e jetesës mbetet ende sedentare për një pjesë të madhe të fëmijëve.


Përdorimi i cigareve elektronike dhe atyre tradicionale tek adoleshentët shqiptarë është shumë i ulët, nën 10%, krahasuar me nivelet 20–40% në shumicën e vendeve të tjera europiane.


Edhe konsumi i alkoolit është dukshëm më i kufizuar – shumë pak adoleshentë raportojnë se kanë konsumuar alkool, janë dehur ndonjëherë apo gjatë 30 ditëve të fundit. Në këta tregues, Shqipëria dallon pozitivisht, duke u renditur ndër vendet më të sigurta në aspektin e sjelljeve të rrezikshme për moshat e reja.


Vendi ynë renditet shumë mirë për sa u përket zakoneve të ushqyerjes, nivelit të mbipeshës dhe sidomos konsumit të duhanit e alkoolit tek adoleshentët, në krahasim me Europën.

Megjithatë, mbetet një sfidë e dukshme mungesa e aktivitetit fizik dhe një prirje ende e lartë për konsum të pijeve të gazuara.


Financimi publik për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve mbetet i kufizuar në vendin tonë. Vetëm 9.2% e totalit të shpenzimeve publike i dedikohen shëndetësisë, krahasuar me rreth 15% në mesataren e BE-së./ B.Hoxha/ Monitor

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page