top of page

Aksident tragjik : Një i ri humb jetën, tjetri plagoset gjatë ndjekjes nga policia

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Sep 12
  • 1 min read

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Bolognës në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një i ri shqiptar humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas një aksidenti me pasoja fatale.


Sipas autoriteteve italiane, dy të rinj shqiptarë po udhëtonin me një automjet tip Audi që rezultonte i vjedhur, kur u përpoqën t’i shpëtonin një kontrolli të policisë. Ngjarja nisi në momentin kur makina, e ndalur në një semafor në Via Tolmino, u vu re nga një patrullë policore. Sapo semafori u bë jeshil, drejtuesi i mjetit shtoi ndjeshëm shpejtësinë dhe u largua duke injoruar urdhrin për t’u ndalur, çka detyroi policinë të niste ndjekjen.


Arratisja përfundoi në mënyrë tragjike në kryqëzimin mes Via Murri dhe Via dei Lamponi. Për shkak të shpejtësisë së lartë, shoferi 19-vjeçar humbi kontrollin e automjetit, i cili fillimisht u përplas me një shtyllë ndriçimi dhe më pas me disa automjete të parkuara. Nga përplasja e fuqishme humbi jetën në vend pasagjeri 18-vjeçar, ndërsa drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur dhe u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Autoritetet italiane ende nuk kanë bërë publike identitetet e të rinjve. Sipas burimeve policore, 18-vjeçari i ndjerë kishte precedentë penalë për vjedhje dhe rezistencë ndaj arrestimit, ndërsa 19-vjeçari që drejtonte automjetin rezulton pa të kaluar kriminale. Policia italiane po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page