top of page

Emra të shkruar mbi 7 zarfe me para, zbulimi në banesën e drejtorit të spitalit!

11 hours ago
2 min read

Prokuroria e Fierit ka zbardhur detaje nga hetimi për tjetërsimin e një sipërfaqeje toke prej 44.100 metrash katrorë në fshatin Povelçë, e cila dyshohet se ishte pronë shtetërore dhe u kalua në mënyrë të paligjshme në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara.


Në kuadër të këtij hetimi janë vënë në pranga pesë persona, mes tyre edhe Arben Voja, drejtori aktual i Spitalit Rajonal të Fierit, i cili në kohën kur dyshohet se janë kryer veprimet mbante detyrën e drejtorit të Kadastrës Fier. Në burg janë lënë gjithashtu ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, punonjësi i Kadastrës Fjorelo Bida dhe noterja


Anila Haxhiu. Për specialistën hartografe Arbina Jaupaj është caktuar masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore.


Sipas Prokurorisë, hetimi nisi pas kallëzimit të një qytetari, i cili pretendoi se një sipërfaqe toke në fshatin Povelçë ishte regjistruar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pëlqimin e saj.


Nga hetimet dyshohet se për tjetërsimin e pronës janë përdorur dokumente të falsifikuara, përfshirë një certifikatë pronësie të vitit 2007 dhe një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike, mbishkrime e fshirje. Dy prokura noteriale dyshohet se janë hartuar gjithashtu në rrethana të parregullta, pasi nënshkrimet e personave të përfaqësuar ishin marrë në fletë të bardha, ndërsa njëra prej tyre ndodhej jashtë Shqipërisë në kohën e hartimit të dokumentit.


Sipas organit të akuzës, skema dyshohet se është realizuar duke përdorur referencat e regjistrimit të një tjetër prone, me sipërfaqe 4 mijë metra katrorë, për të regjistruar në emër të kallëzuesit tokën prej 44.100 metrash katrorë, megjithëse për këtë të fundit nuk ekzistonte asnjë titull pronësie.


Më pas, toka iu shit personave të tretë, të cilët synonin ndërtimin e një parku fotovoltaik.


Kontrata e shitjes u lidh më 30 janar 2023, kundrejt shumës prej 88.200 eurosh. Prokuroria dyshon se kjo shumë nuk përfaqësonte vlerën reale të pronës dhe se paratë kaluan në llogarinë e personit që vepronte si përfaqësues i familjes shitëse, pa iu dorëzuar pronarëve të pretenduar.


Një tjetër element i hetimit lidhet me faktin se, pas depozitimit të kallëzimit, ish-kreu i njësisë administrative dyshohet se u ka dorëzuar të dëmtuarve 15 mijë euro në dorë, me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin.


Gjatë kontrollit në banesën e Arben Vojës, hetuesit gjetën dhe sekuestruan shtatë zarfe me para, ku ishin shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme. Në total u sekuestruan 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5 mijë korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Gjithashtu, në të njëjtën dhomë u gjetën edhe 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu.


Prokuroria bën me dije se hetimet kanë zbuluar dyshime edhe për tjetërsimin e pasurive të tjera shtetërore përmes të njëjtës mënyrë veprimi. Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale.


Të gjithë personat e përmendur konsiderohen të dyshuar deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page