Flamuri në duart e një legjende: Pavlina Evro frymëzon ekipin olimpik shqiptar
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Ikona e atletikës shqiptare, Pavlina Evro, ishte pjesë e ceremonisë solemne të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me rastin e dorëzimit të flamurit tonë kombëtar ekipit përfaqësues që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat do të zhvillohen në Milano.
Prania e Pavlina Evros në këtë ceremoni kishte një domethënie të veçantë, pasi pak sportistë e kanë nderuar dhe ngritur flamurin shqiptar në arenat evropiane dhe botërore ashtu si ajo. Përmes sakrificës, përkushtimit dhe rezultateve historike, Evro është kthyer në një simbol të krenarisë kombëtare dhe të shpirtit sportiv shqiptar.
Flamuri kombëtar në duart e Pavlina Evros është një emocion i fortë dhe një mesazh frymëzues për të gjithë sportistët, veçanërisht për brezin e ri që sot përgatitet të përfaqësojë Shqipërinë në arenën olimpike. Ajo mbetet shembulli i gjallë i përçimit të vlerave, i pasionit për sportin dhe i besimit se puna e palodhur shpërblehet gjithmonë.
Kur një mjeshtre e madhe si Pavlina Evro uron dhe mbështet sportistët tanë, kjo mbështetje shndërrohet në motivim dhe forcë për sukses. Prania e saj është një dëshmi se historia, përvoja dhe emocionet e sportit shqiptar vazhdojnë të jetojnë dhe të frymëzojnë çdo përfaqësim të vendit tonë.
"KORCA BOOM"



















