Gjykata i del në krah 17-vjeçarit të gjobitur me 500 mijë lekë për protestën, ja çfarë vendosi!
Një 17-vjeçar, i cili u gjobit me 500 mijë lekë nga Policia për pjesëmarrjen në protestë, nuk do të duhet ta paguajë gjobën deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të masës administrative, deri në një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e saj.
Vendimi është marrë më 24 nëntor dhe nënkupton se Policia nuk mund të nisë procedurat për mbledhjen e shumës nga i mituri apo familja e tij, për sa kohë çështja është në shqyrtim gjyqësor.
Avokati i të miturit, Ledio Braho, i tha Citizens.al se në gjykatë ka paraqitur dy kërkesa: anulimin e gjobës dhe pezullimin e ekzekutimit të saj deri në përfundimin e procesit. Gjykata ka pranuar kërkesën e dytë.
“Drejtoria e Policisë nuk mund të vijojë me ekzekutimin e gjobës derisa të mbyllet gjyqi me vendim të formës së prerë. Kjo është ajo që është e rëndësishme në këtë moment”, u shpreh Braho.
Avokati sqaroi se vendimi i gjykatës lidhet vetëm me gjobën konkrete dhe nuk e pengon Policinë që, në rast të pjesëmarrjes së të riut në protesta të tjera, të vendosë masa të reja administrative.
Ndërkohë, Braho ngre pikëpyetje mbi ligjshmërinë e gjobitjes së personave nën moshën 18 vjeç. Sipas argumentimit të tij, ligji për kundërvajtjet administrative nuk parashikon vendosjen e gjobave ndaj të miturve, të cilët nuk kanë zotësi të plotë për të vepruar ligjërisht.
Rasti i 17-vjeçarit nuk është i vetmi. Avokati bëri të ditur se së fundmi i është drejtuar një tjetër i mitur, 16 vjeç, ndaj të cilit janë vendosur tri gjoba: një prej 500 mijë lekësh dhe dy të tjera nga 5 mijë lekë secila.
“Rastet janë masive, ndërsa procedurat për kundërshtimin e tyre kërkojnë më shumë kohë, pasi për shkak se të miturit janë nën 18 vjeç, prokura duhet të nënshkruhet edhe nga prindërit”, deklaroi Braho për Citizens.al.
Tashmë pritet që Gjykata Administrative të njoftojë palët për seancën e radhës, ndërsa çështja për anulimin e gjobës vijon të jetë në shqyrtim.
“KORÇA BOOM”
















