Mbrëmje tragjike, makina përmbyset në kanal, humb jetën drejtuesi
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Samaticë, në bashkinë Dimal.
Viktima është identifikuar si Zenun Zeka, 67 vjeç, banor i zonës. Sipas informacioneve paraprake, ai ka qenë duke drejtuar automjetin kur dyshohet se ka humbur kontrollin mbi të, duke dalë nga rruga dhe përfunduar i përmbysur në kanalin anësor.
Përplasja ka qenë fatale për 67-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje. Trupi i tij është transportuar me ambulancë drejt morgut të Spitalit Rajonal të Beratit.
Pas ngjarjes, në vendin e aksidentit ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e nevojshme për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shpejtësia e automjetit dhe mungesa e ndriçimit në rrugë mund të kenë ndikuar në shkaktimin e aksidentit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes.
“KORÇA BOOM”
















