Krim në zemër të universitetit: Shqiptari 23-vjeçar goditet për v*ekje me t*ikë
- Korca Boom
- Oct 18
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Peruxhias dhe komunitetin shqiptar në Itali. Hekuran Cumani, 23 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në Fabriano të Ankonës, u vra me thikë në orët e para të së shtunës, në një parking pranë Universitetit të Peruxhias.
Sipas Prokurorisë, ngjarja është cilësuar si vrasje me dashje, e ndodhur pas një konflikti për motive të parëndësishme. Viktima u godit me thikë në fyt dhe në gjoks, duke ndërruar jetë në vend, pavarësisht mbërritjes së shpejtë të ambulancës dhe ndihmës së parë.
Hekuran Cumani kishte shkuar në Peruxhia për t’u argëtuar me shokët. Debati që rezultoi fatal nisi jashtë lokalit të njohur “110 Caffè”, pranë Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike të Universitetit. Konflikti verbal u përshkallëzua në përleshje fizike, dhe një prej personave të përfshirë, ende i paidentifikuar, e goditi për vdekje me thikë.
Miqtë e tij e përshkruajnë Hekuranin si një djalë të qetë, të dashur dhe të pasionuar pas palestrës dhe jetës së shëndetshme. “Ishte një mik i mirë, shumë familjar dhe e donte edhe më shumë kafshët”, – ka thënë një prej tyre për mediat italiane.
Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe ka marrë në pyetje disa dëshmitarë që ndodheshin në vendin e ngjarjes, me qëllim identifikimin e autorit të krimit.
Ngjarja ka shkaktuar reagim të fortë edhe nga autoritetet lokale. Në një deklaratë të përbashkët, kryebashkiaku dhe këshilli komunal i Peruxhias kanë shprehur ngushëllimet për familjen, duke e cilësuar vrasjen si një “tragjedi që ka tronditur gjithë qytetin”.
“KORÇA BOOM”



















