Kultura shqiptare në zi, ndahet nga jeta një prej emrave të njohur të etnokoreografisë
Është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare studiuesi i shquar i etnokoreografisë, prof. dr. Ramazan H. Bogdani, i vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në studimin, ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare, veçanërisht në fushën e valleve dhe të vallëzimit popullor.
Ramazan H. Bogdani lindi në Tiranë në vitin 1933. Ai kreu studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” gjatë viteve 1948–1952, vijoi më pas në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” dhe përfundoi arsimin e lartë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në degën e Etnografisë.
Karrierën artistike e nisi herët. Nga viti 1950 deri në vitin 1967 punoi si valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e artit skenik shqiptar.
Përmes punës së tij shumëvjeçare, Bogdani u bë një nga emrat e njohur të studimit të folklorit koreografik shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat e ardhshëm.
Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje për kulturën dhe artin shqiptar.
“KORÇA BOOM”
















