Ndërroi jetë pas transportit urgjent – detajet nga rasti në Korçë
top of page

Ndërroi jetë pas transportit urgjent – detajet nga rasti në Korçë

  • 22 minutes ago
  • 1 min read

Një i dënuar me burgim të përjetshëm ka ndërruar jetë këtë të hënë në Spitali Rajonal i Korçës, pasi u transportua me urgjencë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Bëhet fjalë për shtetasin H.Q.R., 64 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, i cili po vuante dënimin për veprat penale “vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sipas burimeve zyrtare, rreth orës 09:40, gjatë një kontrolli mjekësor në institucionin e vuajtjes së dënimit, mjeku konstatoi përmes oksimetrit se i dënuari kishte rrahje të ulëta të zemrës (bradikardi). Për shkak të gjendjes, ai u dërgua menjëherë në urgjencën e Spitali Rajonal i Korçës për trajtim më të specializuar.

Gjatë ekzaminimeve në spital, gjendja e tij u përkeqësua më tej, duke kaluar në arrest kardiak respirator. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta rikthyer në jetë, 64-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Mësohet se gjatë vuajtjes së dënimit, ai kishte shfaqur edhe probleme të shëndetit mendor dhe ishte trajtuar nga mjekë specialistë.

Lidhur me ngjarjen janë njoftuar organet e Prokurorisë, si dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave të rastit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page