top of page

Plas lënda narkotike në Korçë: Dy të rinj kapen në flagrancë me doza kanabisi dhe arrestohen nga forcat “Shqiponja”

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Sep 26, 2025
  • 2 min read

Dy shtetas janë arrestuar në flagrancë në qytetin e Korçës, pasi u kapën me lëndë narkotike të llojit kanabis, të ndarë në doza dhe të gatshme për shitje.

Gjatë operacionit të zhvilluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, u bë ndalimi i një automjeti brenda të cilit udhëtonin dy shtetas, të cilët po qarkullonin me qëllim shpërndarjen e lëndës narkotike.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve E. P. dhe S. M., si dhe gjatë kontrollit në automjetin e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike të dyshuar si kanabis, e ndarë në doza të vogla, gati për shitje.


Në vijim të hetimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. P., u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu një sasi tjetër kanabisi, një shumë parash e dyshuar se është përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe një sasi fishekësh për armë gjahu.

Nga verifikimet e kryera, rezultoi se shtetasi S. M. kishte hyrë në territorin shqiptar në mënyrë të paligjshme.


Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  • E. P., 30 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;

  • S. M., 25 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, Maliq, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, për veprime të mëtejshme.Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

“KORÇA BOOM”


bottom of page