Shqiptarët mbushin rrugët me makina, mbi 81 mijë regjistrime në 10 muaj, ja marka që po dominon
Numri i automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë vijon të rritet, megjithëse me ritme më të ngadalta krahasuar me dy vitet e mëparshme. Të dhënat për periudhën janar-tetor 2026 tregojnë se në vend janë regjistruar për herë të parë 81.8 mijë automjete, me një rënie prej 1.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, vetëm gjatë muajit tetor janë regjistruar 7593 automjete, shifër kjo 13% më e ulët se në tetorin e një viti më parë.
Megjithatë, një tendencë tjetër po vihet re në tregun e automjeteve: rikthimi i interesit për makinat elektrike. Regjistrimet e tyre u rritën me 54% gjatë muajit tetor, duke shënuar nivelin më të lartë që prej prillit.
Koreja e Jugut dhe Kina kryesojnë importet
Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të jenë dy tregjet kryesore nga ku shqiptarët po blejnë automjete.
Gjatë periudhës janar-tetor, rreth 21.5 mijë automjete, ose 26% e totalit të regjistrimeve për herë të parë, kanë ardhur nga Koreja e Jugut. Ky shtet vijon të dominojë tregun falë çmimeve konkurruese të automjeteve.
Në vendin e dytë renditet Kina, me rreth 13.3 mijë automjete, që përbëjnë 16.2% të regjistrimeve. Rritja e interesit për automjetet elektrike ka ndikuar ndjeshëm në forcimin e pozicionit të këtij tregu.
Ndërkohë, Gjermania dhe Italia, që dikur ishin burimet kryesore të automjeteve për Shqipërinë, renditen në vendin e tretë dhe të katërt, përkatësisht me 9.8 mijë dhe 9.3 mijë automjete.
Makinat elektrike dyfishojnë regjistrimet, BYD në krye
Interesi për automjetet elektrike po rritet sërish. Gjatë tetorit u regjistruan për herë të parë 1098 mjete elektrike, duke kaluar përsëri kufirin e 1000 regjistrimeve mujore.
Për 10 muajt e parë të vitit janë regjistruar gjithsej 8891 automjete elektrike, rreth dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ato përbëjnë 10.9% të të gjitha automjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë janar-tetorit, nga 10.5% që ishte kjo peshë në fund të shtatorit.
Sa i përket markave, BYD kryeson bindshëm tregun e automjeteve elektrike në Shqipëri, me rreth 5389 mjete të regjistruara, ose 61% të totalit të makinave elektrike.
Ndërsa në tregun e përgjithshëm, Volkswagen dhe Mercedes-Benz mbeten markat më të preferuara nga blerësit shqiptarë, me përkatësisht 16% dhe 14.7% të regjistrimeve për periudhën janar-shtator 2026.
Në fund të muajit tetor, numri i përgjithshëm i automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri ka arritur në rreth 1.1 milionë.
“KORÇA BOOM”
















