Ndryshojnë procedurat për patentat, ja kontrollet e reja që do t’u bëhen shoferëve
Procedurat për marrjen dhe rinovimin e lejes së drejtimit në Shqipëri do të ndryshojnë. Sipas udhëzimit nr. 644 të Ministrisë së Shëndetësisë, kontrollet mjekësore do të digjitalizohen, ndërsa do të verifikohet edhe historiku shëndetësor i aplikantëve.
Procesi i ri do të nisë pranë mjekut të familjes, i cili do të kontrollojë identitetin e qytetarit, pagesën përkatëse dhe kartelën e tij shëndetësore, fizike ose elektronike. Në shqyrtim do të jenë edhe rezultatet e ekzaminimeve dhe dokumentacioni tjetër mjekësor.
Një nga risitë kryesore është mundësia e verifikimit të historikut shëndetësor, përfshirë të dhënat që lidhen me shëndetin mendor dhe përdorimin e substancave psikoaktive.
Nëse vlerësimi për aftësinë e drejtimit të automjetit e kërkon, mjeku mund të marrë të dhëna shtesë nga institucionet shëndetësore publike që disponojnë dokumentacion të trajtimeve të mëparshme.
Megjithatë, udhëzimi përcakton se sëmundjet e kaluara dhe të shëruara duhet të dallohen nga problemet aktuale shëndetësore. Po ashtu, diagnozat e pakonfirmuara nuk mund të konsiderohen si të mirëqena.
Kontrollet te specialistët dhe Komisioni Mjekësor
Pas kontrollit fillestar, aplikantët do të referohen te mjekët specialistë për ekzaminimin e shikimit dhe dëgjimit.
Specialistët do të plotësojnë dhe nënshkruajnë elektronikisht formularët mjekësorë, duke përcaktuar edhe kufizimet përkatëse në rast se evidentohen probleme që mund të ndikojnë në drejtimin e automjetit.
Nëse konstatohen probleme të veçanta shëndetësore ose dyshime për aftësinë psikofizike të aplikantit, ai do të dërgohet pranë Komisionit Mjekësor.
Komisioni do të shqyrtojë dokumentacionin dhe ekzaminimet, duke vendosur nëse qytetari është:
I aftë për drejtimin e automjetit;
I aftë për drejtim, por me kufizime;
I paaftë për drejtimin e automjetit.
Komisioni mund të vendosë gjithashtu kufizime në afatin e vlefshmërisë së patentës, në varësi të gjendjes shëndetësore dhe përcaktimeve ligjore.
Dokumentet do të dërgohen elektronikisht te DPSHTRR
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me administrimin e dokumentacionit.
Certifikatat dhe formularët mjekësorë do të plotësohen dhe firmosen elektronikisht nga mjekët, ndërsa rezultatet përfundimtare do t’i transmetohen drejtpërdrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor përmes sistemeve shtetërore të ndërveprimit.
Dokumenti përfundimtar i kontrollit mjekësor do t’i dërgohet qytetarit nëpërmjet platformës e-Albania.
Synimi është shmangia e qarkullimit fizik të dokumenteve ndërmjet institucioneve dhe lehtësimi i procedurave për qytetarët.
Udhëzimi përcakton gjithashtu rregulla për ruajtjen, arkivimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale e shëndetësore të aplikantëve.
Tarifat për kontrollet mjekësore do të vijojnë të zbatohen sipas akteve në fuqi, ndërsa institucionet shëndetësore do të duhet t’i afishojnë ato në mënyrë të dukshme.
“KORÇA BOOM”
















